Ndërlidhjet

Zgjedhjet lokale: 21 komuna i zgjodhën kryetarët, 17 shkojnë në balotazh

• Në Kosovë u mbajtën zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe përfaqësues të kuvendeve komunale. KQZ-ja njoftoi se pjesëmarrja në votime ishte 40 për qind.

• Të drejtë vote kishin 2 milionë e 69 mijë e 98 votues brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.

23:00 12.10.2025

Lista Serbe shpall fitoren në Graçanicë

Lista Serbe ka shpallur fitore në Graçanicë, komunë në afërsi të Prishtinës. Nga kjo listë thanë se kandidati i saj, Novak Zhiviq, ka marrë 7.115 vota.

“E kemi dëshmuar unitetin, bashkimin dhe përgjegjësinë ndaj partisë, shtetit dhe popullit tonë”, tha Zhiviq gjatë një konference për media në Graçanicë, në selinë e Listës Serbe.

"Dua të theksoj se shteti i Serbisë do të jetë i pranishëm edhe më shumë dhe edhe më fuqishëm në Kosovë dhe në Graçanicë, së bashku me ju, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë", shtoi ai.

Sipas rezultateve preliminare, në këtë komunë janë numëruar 88.24 për qind të votave dhe Zhiviq ka 61.88 për qind të votave. I dyti është Leutrim Ajeti nga Aleanca Shqiptare me 25.61 për qind.

22:57 12.10.2025

Mitrovica e Jugut drejt balotazhit

Me 98.10 për qind të votave të numëruara, Mitrovica e Jugut duket se do të zgjedhë kryetarin e ri në rundin e balotazhit.

Arian Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës po prin me 48.09 për qind të votave, pasuar nga Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje me 47.65 për qind.

Exit poll-et e publikuara nga disa televizione në Kosovë parashikuan që këtë komunë do ta fitonte PDK-ja pa balotazh.

22:51 12.10.2025

Vuçiq uron Listën Serbe “për fitoren” në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka uruar “për fitoren” Listën Serbe – partinë kryesore të serbëve në Kosovë që Beogradi e mbështet.

“Edhe një fitore tjetër… Urime Listës Serbe dhe njerëzve tanë të palodhur në Zyrën për Kosovën”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Sipas të dhënave preliminare, Lista Serbe pritet të fitojë në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë në rundin e parë. Përjashtim këtu bën Kllokoti, ku pas 87.50 për qind të votave të numëruara, kandidati për kryetar i Listës Serbe prin me 43.26 për qind të votave.

22:33 12.10.2025

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG