Lexues të nderuar,
Këtu po e mbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë për rundin e parë të zgjedhjeve lokale.
Qytetarët në 38 komunat e Kosovës votuan më 12 tetor për të zgjedhur kryetarët e rinj dhe përbërjet e reja komunale.
Votimet u zhvilluan pa ndonjë incident të madh.
Në bazë të numërimit të deritanishëm të votave, në 21 komuna qytetarët kanë zgjedhur qysh në rundin e parë krerët e komunave, ndërkaq në 17 të tjerat do të zhvillohet rundi i balotazhit.
Prishtina, kryeqendra e Kosovës, është në mesin e komunave që do të shkojë në balotazh, kur do të përballen LDK-ja dhe LVV-ja.
Në rundin e parë, LVV-ja dhe PDK-ja fituan në tre komuna, LDK-ja në dy, AAK-ja dhe Nisma e kanë fituar nga një komunë, sikurse edhe Ramiz Lladrovci me listën e tij në Drenas.
KQZ-ja tha se pret që brenda javës të përmbyllë numërimin e të gjitha votave, përkatësisht të asamblistëve, votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe me postë.
Unë, Mimoza Sadiku ju falënderoj që na ndoqët.
Më poshtë mund të shikoni një video që jep detaje lidhur me rundin e parë të zgjedhjeve lokale:
Procesi i publikimit të rezultateve për kryetarë drejt fundit
Në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në shumicën e komunave ka përfunduar procesimi i rezultateve për kryetarët e komunave.
Në Gjakovë, Istog, Kaçanik, Klinë, Leposaviq, Lipjan, Rahovec, Prishtinë, Prizren, Skënderaj, Shtërpcë, Ferizaj, Viti, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut publikimi i rezultateve është drejt fundit.
Sipas rezultateve, 21 komuna kanë zgjedhur kryetarët që në rundin e parë, ndërkaq 17 të tjera do të zhvillojnë rundin e balotazhit.
Çeku: Rezultati i 12 tetorit, hapi i parë drejt fitores në Prishtinë
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, tha se rezultati në kryeqytet është “shumë i mirë për ne”.
“Është hapi ynë i parë drejt fitores sonë të madhe në Prishtinë. Të gjithë aktivistët tanë janë të mobilizuar. Prej nesër vazhdon puna deri në ditën kur mbahet balotazhi”, tha ai gjatë një konference për media.
Me 97.39 për qind të votave të numëruara, Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës udhëheq në Prishtinë me 33.78 për qind.
Çeku është i dyti me 32.98 për qind.
Kur u pyet për koalicionet e mundshme, ai tha se kërkon koalicion me qytetarët “për ta bërë ndryshimin në Prishtinë”.
Çeku tha, po ashtu, se LVV-ja është e vetmja parti politike e cila i ka rikonfirmuar të gjitha komunat ku ka qeverisur.
"Jemi të parët pa balotazh në Podujevë, Kamenicë dhe Shtime dhe me shumë gjasë edhe në Gjilan".
Kush i fitoi zgjedhjet në rund të parë?
Nga 38 komunat e Kosovës, 21 prej tyre e përmbyllën garën për kryetarë komunash në rundin e parë të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Në 17 të tjera do të mbahet rundi i balotazhit.