Deputetët nisin të mblidhen në Kuvend
Deputetë të partive të ndryshme kanë nisur që të hyjnë në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, në prag të nisjes së vazhdimit të seancës konstituive.
IKD: S’ka nevojë që Komisioni për mandate të mblidhet sërish
Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha për Radion Evropa e Lirë se konsideron që nuk ka nevojë që të mblidhet edhe një herë Komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit sepse e "ka kryer njëherë punën që e ka pasur për obligim kushtetues dhe sipas Rregullores” së Kuvendit.
“Ndërsa, Kuvendi, deputetët duhet të gjejnë rrugën që kjo fazë procedurale të kalojë dhe të vazhdohet me betimin e deputetëve dhe votimin e kryetarit të nënkryetarëve të Kuvendit”, tha ai.
Jakaj tha se sot duhet po ashtu që anëtarët e kabinetit qeverisës, që janë zgjedhur deputetë, duhet “të japin dorëheqje formale që atë ta dorëzojnë menjëherë te kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari”.
Krasniqi: Përderisa nuk ndryshojnë rrethanat nuk ndryshon as qëndrimi
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se nuk ka kuptim të ndryshohet qëndrimi i partisë sa i përket votimit të raportit për verifikimin e mandateve, nëse nuk ndryshohen rrethanat.
“Përderisa nuk ndryshojnë rrethanat nuk ndryshon as qëndrimi”, tha ai, para hyrjes në sallë plenare.
Dehari i thërret përfaqësuesit e partive politike për konsultime
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, nga Lëvizja Vetëvendosje, në nisje të vazhdimit të seancës, ftoi përfaqësuesit e partive politike për konsultime lidhur me atë se si të vazhdohet tutje.
Ai tha se këto konsultime janë të nevojshme në mënyrë që “të mos bëjmë shkelje procedurale, ligjore dhe kushtetuese”.
Dehari tha se në letrën që presidentja Vjosa Osmani i dërgoi, nuk u ofrua një zgjidhje përfundimtare.
“Letra që na ka ardhur ka dhënë sqarime në një aspekt, por nuk ka dhënë një zgjidhje përfundimtare. Ajo kërkon nga ne deputetët që të gjejmë vullnet, forcë dhe mirëkuptim që ta zhbllokojmë situatën në Kuvend”, tha ai.