Pse u ndërpre seanca e 15 prillit?
Partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, PDK, LDK dhe AAK, kontestuan dorëheqjen e anëtarëve të kabinetit qeverisës, që janë zgjedhur deputetë, të dorëzuar në Kuvend më 15 prill.
Ata thanë se dorëheqja zyrtare është dashur të bëhet më herët.
Kështu, ata votuan kundër raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.
LVV-ja dhe Albin Kurti i akuzuan këto parti dhe Listën Serbe – që abstenoi – për shkaktim të një krize. Kurti tha se Qeveria e tij është në dorëheqje që nga 23 marsi, kur ekzekutivi përmbylli mandatin e plotë katërvjeçar.
Megjithatë, njohësit e ligjeve thonë se ka paqartësi se kur duhet të jepet dorëheqje nga anëtarët e Qeverisë. Ligji për Qeverinë, ndërkaq, kërkon që anëtarët e ekzekutivit, që zgjidhen deputetë, duhet të japin dorëheqje një ditë para certifikimit të rezultatit zgjedhor, pra në këtë rast, para 27 marsit.
Vazhdimi i seancës konstituive, në mesditë
Në mesditë, deputetët e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës vazhdojnë seancën e ndërprerë më 15 prill për konstituimin e përbërjes së re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Seanca konstituive u ndërpre më 15 prill, pasi deputetët nuk e votuan raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumeve.
Pas kësaj, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, iu drejtua presidentes, Vjosa Osmani, duke kërkuar sugjerime se si të veprohet.
Osmani tha se Kuvendi duhet të mblidhet brenda 48 orëve nga ndërprerje, siç thuhet në Rregulloren e Kuvendit.
E para e shtetit tha se deputetët obligohen “që të jetësojnë, e jo të bllokojnë formimin e institucioneve, si dhe të gjejnë rrugën përpara për konstituimin e Kuvendit”.
Përshëndetje të nderuar lexues,
Mirë se vini në mbulimin e drejtpërdrejt të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë do t’iu sjellë në kohë reale zhvillimet lidhur me konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Na ndiqni!