Ndërlidhjet

Teksa po kërkon raporte më të mira me Putinin, Trump telefonon edhe Lukashenkon


Fotografi e kombinuar.
Fotografi e kombinuar.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i telefonoi liderit bjellorus, Aleksandr Lukashenko, vetëm disa orë para takimit me Vladimir Putinin javën e kaluar në Alaskë, duke i befasuar shumë vëzhgues dhe politikanë.

Trumpi shkroi në rrjetet sociale - duke e përshkruar Lukashenkon si “president shumë të respektuar” - se biseda e tij me të ishte përqendruar tek lirimi i 1.300 të burgosurve politikë.

Sipas Valer Kavaleuskit, kreut të një organizate në mërgim të quajtur Agjencia e Çështjeve Euro-Atlantike, theksi i Trumpit mbi të burgosurit politikë ishte thellësisht simbolik.

“Trump e vendosi çështjen humanitare, lirimin e të burgosurve politikë, në krye të mesazhit të tij”, tha Kavaleuski për Radion Evropa e Lirë (REL).

“Kjo thekson se negociatat humanitare janë të përshtatshme si për Minskun, ashtu edhe për Uashingtonin. Ato shmangin çështjet e vështira, si gjeopolitika apo lufta në Ukrainë, ndërkohë që duken bujare dhe të denja, sepse lidhen me jetën e njerëzve”, nënvizoi ai.

Për Lukashenkon, i kritikuar prej kohësh dhe i izoluar nga Perëndimi si diktator dhe aleat i ngushtë i Putinit, telefonata e Trumpit përfaqësonte një përparim diplomatik.

“Një dhuratë për Lukashenkon”

Valer Karbalevich, analist politik për Shërbimin bjellorus të REL-t, tha se kjo telefonata ishte “dhuratë e madhe” për Lukashenkon, sepse i mundëson një rrugë kthimi pas shkatërrimit të marrëdhënieve me Perëndimin kur i shtypi brutalisht protestat masive kundër manipulimit në zgjedhjet e vitit 2020.

“Lukashenko është i kënaqur”, shkroi ai. “Ai ndien qartazi një shqetësim psikologjik sepse, tash e pesë vjet, vendet perëndimore nuk e kanë njohur si president të Bjellorusisë”.

Por, Kavaleuski mendon ndryshe: “Edhe me letra të dobëta në dorë, si i panjohur, nën kontrollin rus dhe i përfshirë në agresion kundër Ukrainës, Lukashenko arriti të lidhej me Trumpin… Kjo nuk ishte dhuratë. Ishte rezultat i një diplomacie të synuar dhe të aftë të bjellorusëve”.

Svyatlana Tsikhanouskaya, udhëheqësja opozitare bjelloruse në mërgim, përshëndeti përpjekjet e Trumpit për lirimin e të burgosurve politikë në Bjellorusi, por kërkoi vazhdimin e trysnisë ndaj regjimit të Lukashenkos.

“Ky është mision i rëndësishëm humanitar nga presidenti [Trump] – ta shpëtojë jetën e njerëzve të pafajshëm. Ne tani presim që regjimi i Lukashenkos të ndalë plotësisht shtypjen dhe të lirojë të gjithë njerëzit e pafajshëm nga burgu, një hap thelbësor drejt paqes, lirisë dhe pajtimit. Dhe, derisa kjo të ndodhë, nuk duhet të ketë ndryshim në politikën ndaj regjimit”, shkroi Tsikhanouskaya në rrjetet sociale.

Lukashenko deri tani ka dhënë pak hollësi. Sekretarja e tij për shtyp, Natallya Eismant, tha vetëm se “puna në këtë drejtim është duke u zhvilluar”.

Organizatat për të drejtat e njeriut janë skeptike.

Paval Sapelka nga qendra bjelloruse për të drejtat e njeriut, Vyasna, theksoi se shtypja është intensifikuar muajt e fundit, edhe pse herë pas here fal të burgosurit.

“Autoritetet po dëshmojnë procese paralele. Shtypja po vazhdon dhe po përkeqësohet, sipas disa treguesve. Ndërkohë, disa persona lirohen me falje, ndonjëherë me dëbim të menjëhershëm, gjë që është e papranueshme”, tha Sapelka për REL-in.

“Asnjë nuk ka folur për ndalimin e arrestimeve apo për ndonjë zbutje politike”, shtoi Dzmitry Yahorau nga Fondacioni BySol, i cili ndihmon viktimat e shtypjes në Bjellorusi.

Maryna Kasinerava nga Dissidentby, që mbështet të burgosurit politikë, tha se më shumë se 1.300 njerëz mund të jenë burgosur për shkak të kundërshtimit të regjimit.

“Sistemi ka bërë gjithçka për të fshehur krimet kundër të drejtave të njeriut, përfshirë mbylljen e orareve gjyqësore”, tha ajo.

Kasinerava paralajmëroi se Lukashenko mund të kryejë “transferime të dhunshme” në vend të lirimit të të burgosurve.

“Regjimi mund të dëbojë njerëz me thes mbi kokë. Kjo nuk ka të bëjë aspak me lirinë në kuptimin e shëndetshëm të fjalës”, tha ajo.

“Mungesë shprese”

Që nga viti 2020, Vyasna ka dokumentuar 360 falje në Bjellorusi. Të paktën tetë individë janë dëbuar drejtpërdrejt nga burgu pavarësisht se mbanin vetëm shtetësi bjelloruse. Në pesë vjetët e fundit, 8.532 njerëz janë përballur me akuza penale të motivuara politikisht dhe 7.299 janë dënuar.

Për mbrojtësit e të drejtave të njeriut, mundësia e lirimit të 1.300 të burgosurve do të ishte historike.

Por, ata theksojnë se, përderisa shtypja nuk ndalet, një hap i tillë do të jetë më shumë një manovër taktike sesa një ndryshim sistemik.

Megjithatë, Kavaleuski tha se angazhimi i Trumpit me Lukashenkon, ashtu si përpjekjet e tij për të sjellë paqe në Ukrainë, mund të jenë një burim inkurajimi.

“Ende ka mungesë shprese si në Bjellorusi, ashtu edhe në Ukrainë për momentin. Njerëzit në të dyja vendet e shohin Trumpin si dikë që, megjithëse jo i përsosur, është i gatshëm të angazhohet dhe të përpiqet të zgjidhë krizat me të cilat përballen”, tha ai.

Politikëbërësit evropianë, në kontrast, kanë mbajtur distancë, duke qëndruar tek sanksionet e ashpra dhe izolimi, gjë që, sipas Kavaleuskit, e bën më të rëndësishëm angazhimin e Trumpit.

“Mbase nuk është rruga e duhur. Ndoshta nevojiten lëshime, përfshirë realitetin se Lukashenko mbetet në pushtet. Por, kjo ofron një mundësi për t’i liruar njerëzit nga burgu dhe për ta ngadalësuar shtypjen” theksoi ai.

Për momentin, interesimi i Trumpit për Lukashenkon ka thyer një bllokadë disavjeçare. Mbetet e paqartë nëse kjo tregon thjesht një gjest humanitar apo fillimin e një kanali të ri diplomacie amerikane.

Për opozitën bjelloruse, shqetësimi është se gjestet humanitare të Trumpit mund të hapin derën për legjitimimin e Lukashenkos pa sjellë reforma themelore.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG