Janë bërë një vit që prej se Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën doganore prej 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Kjo masë ka bërë që këto dy shtete të humbin pothuajse në tërësi tregun në Kosovë, treg ky që tashmë po mbushet me importet e mallrave nga vendet tjera të rajonit dhe ato të Bashkimit Evropian. Megjithatë, edhe pas taksës në Kosovë mund të gjenden produkte nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, por kryesisht në viset e banuara me shumicë serbe. Përveç aspektit ekonomik, kjo taksë është vlerësuar se ka pasur edhe efekte politike. Heqja e taksës është vënë si kusht nga Beogradi zyrtar që të kthehet në tavolinën e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve. Pezullimin e kësaj mase e kanë kërkuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Masa që ndryshoi tregun në Kosovë

1
Para 21 nëntorit të vitit 2018 – kur dhe u vendos taksa 100 për qind – Serbia eksportonte mallra në Kosovë në vlerë prej mbi 360 milionë euro në vit, ndërkaq Bosnjë e Hercegovina eksportonte mallra në vit në vlerë prej mbi 80 milionë eurosh. Por, që prej zbatimit të taksës, eksportet nga këto dy shtete në Kosovë kanë rënë në 6 milionë euro.

2
Shumica e produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, tashmë janë zëvendësuar me produkte nga shtete të tjera të rajonit dhe Bashkimit Evropian, por edhe me produkte vendore.

3
Prodhuesit kosovarë kanë deklaruar se taksa u ka ndihmuar që të rritet prodhimi i produkteve “Made in Kosova”, por edhe i të punësuarve. Megjithatë, sipas afaristëve, sektori i tregtisë, ka rritur çmimet për shkak të transportit.

4
Gjermania dhe Turqia janë disa prej shteteve që janë shndërruar në eksportueset më të mëdha në Kosovë, që prej vendosjes së taksës. Po ashtu, është rritur edhe importi i brendeve ndërkombëtare përmes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.