Mburojat që mbrojnë foshnjat nga koronavirusi
Organizata gjermane ‘Help Kosovo’ ka dhuruar 200 mburoja për fytyrë për foshnjat e porsalindura në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Këto mburoja shërbejnë për t’u mbrojtur nga koronavirusi.
Mjekët dhe infermierët janë heronjtë tanë në këto ditë të përhapjes së pandemisë me koronavirus.
San Francisko do të hapë më shumë hapësira për të pastrehët
Autoritetet në San Francisko kanë njoftuar se do të krijojnë dy “fshatra të sigurt për gjumë”, ku njerëzit e pastrehë mund të vendosin tenda, teksa praktikojnë distancimin fizik.
Qendra e parë është hapur më herët gjatë këtij muaji, pas rritjes së zemërimit për shtim të personave të pastrehë gjatë pandemisë me koronavirus.
Këto zona do të jenë të pajisura me tualete dhe hapësira për pastrim të duarve.
Sipas zyrtarëve, aty do të ofrohet edhe ushqim.
Ky qytet deri më tani ka konfirmuar 2,179 raste me koronavirus.
Në kohën e fundit është vërejtur rritje e numrit të personave që nuk kanë strehim, pasi disa prej hapësirave të ndara për këtë kategori janë në karantinë.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, SHBA-ja deri më tani ka regjistruar 1.5 milion raste me koronavirus dhe gati 92,000 të vdekur nga po ai.
Në vendin e dytë gjendet Rusia me gati 300,000 raste të konfirmuara.
Rihapen disa shkolla në Korenë Jugore
Të mërkurën janë hapur shkollat e mesme në Korenë Jugore, pas një shtyrjeje prej më shumë se dy muajve, të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, ndonëse nxënësit përballen me protokolle të ashpra për të parandaluar përhapjen e sëmundjes Covid-19, që shkakton ky virus.
Kjo njëherësh shënon fazën e parë të rihapjes së të gjitha shkollave, nën protokollet që përfshijnë vendosjen e maskave, pastrimin e tavolinave dhe mbajtjen e distancës mes tyre për një metër.
Nxënësve u është thënë se do t’iu matet edhe temperatura, dhe nëse ndonjëri prej tyre del pozitiv për koronavirus, shkollat do të kalojnë në mësim online, derisa të konfirmohet kthimi i sigurt.
Këto zhvillime ne Korenë Veriut, vendin e parë që është përballur me këtë pandemi jashtë Kinës, vijnë teksa ky shtet ka raportuar 32 raste të reja të infektuara me koronavirus, duke e çuar numrin total të të prekurve në 11,110.
Prej tyre, 263 pacientë kanë vdekur.