Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
10:46 20.5.2020

Faktori ndërkombëtar i bën thirrje Kosovës për ratifikimin e marrëveshjeve të negociuara financiare

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, krerët e misioneve të BE-së, ambasadorët e Norvegjisë, Zvicrës, Mbretërisë së Bashkuar, kreu i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë, si dhe menaxheri i Bankës Botërore në këtë shtet, kanë thënë të mërkurën se mirëpresin të gjitha diskutimet për marrjen e masave me qëllim të luftimit të koronavirusit në Kosovë, teksa kanë bërë thirrje për ratifikimin e marrëveshjeve të negociuara financiare me BE-në, shtetet e saj anëtare dhe institucionet ndërkombëtare financiare.

“Ne besojmë se në këtë kohë të paqartësive të mëdha, të gjitha palët duhet të lënë anash dallimet dhe të punojnë së bashku në të mirë të njerëzve”, është thënë mes tjerash në deklaratë.

Faktori ndërkombëtar duket se u është referuar negociatave të autoriteteve të Kosovës me një varg institucionesh financiare ndërkombëtare, për kredi në vlerë mbi 300 milionë eurove, me qëllim të përballimit të krizës së krijuar nga koronavirusi.

Një prej tyre është me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), e cila ka miratuar një kredi për Kosovën, në vlerë prej 35 milionë eurosh.

Përveç kësaj, zëvendësministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Agim Krasniqi ka thënë ditë më parë për Radion Evropa e Lirë, se Kosova është në negociata edhe me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për një kredi prej 25 milionë eurosh.

Nga Komisioni Evropian po ashtu është premtuar një kredi prej 100 milionë eurosh.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës duhet të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga ana e Kosovës, me dy të tretat e votave.

Andaj problematike konsiderohet miratimi i tyre, pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë tashmë në detyrë të Kosovës, pasi kjo e fundit është sponsorja kryesore e ligjeve të cilat miratohen në kuvend.

10:26 20.5.2020

Një pacient në gjendje kritike në Klinikën Infektive

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës të mërkurën janë duke u trajtuar shtatë pacientë të prekur me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Prej tyre, njëri është në gjendje të rëndë.

“Tri raste janë në gjendje stabile, dy raste janë në trajtim me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive si dhe dy raste janë në gjendje më të rënduar, duke u trajtuar në repartin e mjekimit intensiv, njëri prej tyre është në gjendje kritike dhe në ventilim mekanik”, është thënë mes tjerash në njoftim.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, autoritetet në Kosovë deri më tani kanë raportuar për 989 persona të infektuar, 769 të shëruar dhe 29 të vdekur me koronavirusin e ri.

09:33 20.5.2020

Numri më i madh i rasteve me koronavirus në​ SHBA,"simbol nderi"

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se fakti që Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të të infektuarve në botë me koronavirus, përbën “simbol nderi”.

“Unë e shikoj këtë, në një aspekt të caktuar, si gjë të mirë, sepse i bie se testimi ynë është shumë i mirë”, ka thënë ai në Shtëpinë e Bardhë.

“Kështu që unë e shoh këtë si simbol nderi. Vërtet, është simbol nderi”, ka deklaruar Trump.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, SHBA-ja deri më tani ka regjistruar 1.5 milion raste me koronavirus dhe gati 92,000 të vdekur nga po ai.

Në vendin e dytë gjendet Rusia me gati 300,000 raste të konfirmuara.

Trump i ka bërë këto deklarata në takimin e tij të parë me kabinetin, prej kur ka shpërthyer pandemia me koronavirus në territorin amerikan.

“Ju e dini se kur ju thoni që ne udhëheqim me numër të rasteve, kjo është për shkakun se kemi më shumë teste sesa secili vend tjetër”, u ka thënë ai gazetarëve.

Sipas Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve, një agjenci federale, Shtetet e Bashkuara kanë kryer 12.6 milionë teste për koronavirus deri të martën.

Ndërkohë Komiteti Kombëtar i Demokratëve ka kritikuar komentet e presidentit republikan, duke thënë se 1.5 milionë raste me Covid-19 në SHBA, shpërfaqin “dështim total të udhëheqësisë”.

09:04 20.5.2020

Universiteti i Kembrixhit zhvillon online vitin e ardhshëm akademik

Universiteti i Kembrixhit ka njoftuar se nuk do të ketë ligjërata nëpër ambiente të tij në vitin e ardhshëm akademik për shkak të pandemisë me koronavirusin e ri.

Megjithatë, mësimet do të jenë të qasshme online për studentët, derisa “mësimet nëpër klasa do të mundësohen vetëm për grupe të vogla studentësh”, nëse zbatohen kërkesat për distancim fizik, është thënë në njoftim.

Kampuset universitare janë mbyllur këtë vit, për shkak të shpërthimit të pandemisë me sëmundjen Covid-19, që shkakton ky virus.

Zyrtarë të Universitetit ka thënë se do të rishqyrtojnë këtë vendim nëse ndryshon udhëzimi për distancim fizik.

Në deklaratë është thënë: Universiteti është duke u adaptuar vazhdimisht me udhëzimet që vijnë gjatë pandemisë.

Të gjitha mësimet janë duke u zhvilluar online në këtë universitet nga muaji maj, derisa provimet janë duke u kryer në mënyrë virtuale.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG