Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
08:43 20.5.2020

Banka Botërore: 60 milionë njerëz mund të përballen me varfëri ekstreme

Deri në 60 milionë persona do të përballen me “varfëri ekstreme” si pasojë e koronavirusit, ka paralajmëruar presidenti i Bankës Botërore, David Malpass.

Ai ka thënë se Banka pret që rritja ekonomike të tkurret për 5 për qind këtë vit, derisa kombet përballen me pandeminë.

Kjo situatë e krijuar pas pandemisë, ka ndikuar në humbjen e miliona vendeve të punës dhe dëmtimin e bizneseve, sidomos në vendet më të varfra.

“Miliona burime për jetesë janë shkatërruar dhe sistemet e kujdesit shëndetësor janë në tension në gjithë botën”, ka thënë ai.

“Vlerësimi ynë është që deri në 60 milionë persona do të shtyhen drejt varfërisë ekstreme – që shkatërron përparimin e bërë në zhdukjen e varfërisë në tre vjetët e fundit”, ka paralajmëruar ai.

Banka Botërore e përcakton “varfërinë ekstreme” kur një person jeton me më pak se 1.90 dollarë në ditë.

Ky institucion me bazë në Uashington është duke ofruar grante dhe kredi me interes të ulët në vlerë të 160 miliardë dollarëve, për t’iu ndihmuar vendeve të varfra në luftimin e krizës.

Malpass ka thënë se 100 shtete, që janë shtëpi për 70 për qind të popullsisë në botë, tani kanë siguruar financa emergjente.

Me koronavirusin e ri janë infektuar mbi 4 milionë persona në gjithë botën, derisa mbi 320,000 prej tyre kanë vdekur.

08:18 20.5.2020

Qeveria kërkon pastërti, por nuk shpërblen punëtorët e kompanisë “Pastrimi”

Riza Selimi, punëtor në kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” në Prishtinë, asnjëherë nuk ka ndërprerë punën, me gjithë rrezikun nga ndonjë infektim i mundshëm me sëmundjen COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi.

Nga 13 marsi i këtij viti, kur edhe nisën së zbatuari masat emergjente të Qeverisë tashmë në detyrë të Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri, biznese të shumta, institucione publike dhe shërbyese ndërprenë punën, ose veprimtarinë e tyre po e zhvillojnë me kapacitete të zvogëluara.

Por, punëtorëve të kompanisë “Pastrimi”, gjatë kësaj periudhe iu është dyfishuar puna.

Selimi, i cili është menaxher i njësisë së bartjes së mbeturinave në Komunën e Prishtinës, thotë se që nga paraqitja e rasteve me koronavirus, ai ka qenë në vendin e punës.

Por, Selimi thotë se është i zhgënjyer me vendimin e Qeverisë në detyrë të Kosovës, pasi në Pakon Emergjente Fiskale, punëtorët e pastrimit nuk do të ndihmohen financiarisht, ashtu siç ka ndodhur me punëtorët e sektorëve të tjerë, të cilët përfitojnë nga kjo pako e qeverisë.

“Shumë jemi të zhgënjyer sepse jemi diskriminuar. Nuk e di kush e ka planifikuar që të përjashtojë nga pakoja një nga sektorët kryesorë, do të thotë që vjen pas stafit mjekësor dhe policisë. Sepse pa pastërti të qytetit, nuk e di se si do të mbroheshim nga pandemia. Nëse për 24 orë nuk mblidhen mbeturinat në Prishtinë, krijohet kaos”, thotë Selimi.

Materialin e plotë e gjeni këtu.

07:55 20.5.2020

Koronavirusi shtrihet me shpejtësi në Brazil

Brazili ka regjistruar një rekord të numrit të përditshëm të viktimave si pasojë e koronavirusit, 1,179.

Deri më tani, ky virus është lidhur me pothuajse 18,000 fatalitete në këtë shtet.

Sa i përket infektimit, Brazili aktualisht gjendet në vendin e tretë më të prekur në botë nga sëmundja Covid-19, që shkakton ky virus.

Vetëm në 24 orët e fundit janë konfirmuar 17,408 raste pozitive, derisa vëzhguesit kanë thënë se piku i virusit në këtë shtet mund të pritet në muajin qershor.

Brazili është i ndarë thellësisht për mënyrën sesi duhet luftuar pandeminë.

Presidenti Jair Bolsonaro vazhdimisht ka ulur rrezikun e virusit dhe beson se masat e izolimit, të zbatuara nga guvernatorët rajonalë, do t’i bëjnë më shumë dëm ekonomisë dhe rrjedhimisht edhe njerëzve, sesa vetë virusi.

23:21 19.5.2020

Trump konsideron ndalimin e udhëtimit nga Brazili

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë të martën se është duke konsideruar vënien e ndalesave në udhëtim nga Brazili, vendi i cili aktualisht është kthyer në shtetin e tretë me të prekur në botë nga koronavirusi, pas Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

“Ne jemi duke konsideruar këtë gjë”, u ka thënë Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Nuk dua që njerëzit të vijnë këtu dhe të infektojnë njerëzit tanë. Nuk dua as atje njerëz të sëmurë. Ne jemi duke i ndihmuar Brazilit me ventilatorë… Brazili është në telashe, nuk ka dyshim për këtë gjë”, ka shtuar Trump.

Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madhe të të prekurve 1,523,534 dhe viktimave, 91,570 me koronavirus.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG