Falja në shesh si shenjë proteste
Një grup i besimtarëve myslimanë janë falur të martën në një shesh të Prishtinës, si shenjë proteste për moshapjen e xhamive. Xhamitë ende mbesin të mbyllura si masë për t’u mbrojtur nga përhapja e sëmundjes COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi.
Qeveria në detyrë ndan 20 milionë euro për ndërmarrjet publike
Qeveria në detyrë e Kosovës ka njoftuar të martën për ndarje të 20 milionë eurove për subvencionim të ndërmarrjeve publike, që janë dëmtuar për shkak të situatës së krijuar me pandeminë e koronavirusit.
“Me ndryshimin dhe plotësimin e vendimit në mbledhjen e sotme, janë ndarë 20 milionë euro për subvencionimin e ndërmarrjeve publike që kanë vështirësi financiare për shkak të situatës së krijuar nga emergjenca e shëndetit publik dhe me qëllim të sigurimit të likuiditetit të tyre”, është thënë në një komunikatë drejtuar mediave.
Pakoja Emergjente Fiskale kap vlerën e mbi 170 milionë eurove dhe synon t’iu ndihmojë sektorëve më të dëmtuar nga masat e marra me qëllim të luftimit të koronavirusit.
Në përgatitje është thënë të jetë edhe pakoja e dytë fiskale e cila do të ketë në fokus rimëkëmbjen ekonomike. Kjo pako, sipas ministrit në detyrë të Financave dhe Transfereve në Kosovë, Besnik Bislimi, do ta ketë vlerën rreth një miliard eurove.
Edhe në Kosovë është raportuar rritje e rasteve të dhunës në familje, në kohën e shpërthimit të koronavirusit.
Një person i infektuar, 15 të shëruar nga koronavirusi në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka regjistruar të martën një rast të ri me koronavirus, pas kryerjes së 221 testeve për sëmundjen Covid-19, që shkakton ky virus.
“Rasti pozitiv është rast kontakti nga: komuna e Rahovecit 1 rast (sipas vendbanimit: 1 rast Rahovec)”, është thënë në njoftim.
Në po këtë ditë është bërë e ditur se janë shëruar 15 pacientë të prekur me këtë virus.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, autoritetet në Kosovë deri më tani kanë raportuar për 989 persona të infektuar, 769 të shëruar dhe 29 të vdekur me koronavirusin e ri.