Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
20:33 19.5.2020

Komisioni Evropian shtyn për vjeshtë raportet e progresit për vendet e Ballkanit

Komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi ka konfirmuar të martën në një paraqitje para deputetëve në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, se raportet e progresit për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, së bashku me paketën e zgjerimit, do të prezantohen në shtator.

Këto raporte ishte paralajmëruar të miratohen dhe bëhen publike në muajin qershor dhe të njëjtin muaj ishte planifikuar që të debatoheshin në Këshillin e Bashkimit Evropian. Por, komisionari Varhelyi ka thënë se ka pasur disa arsye që publikimi i këtyre raporteve është shtyrë, duke përmendur edhe pengesat që ka krijuar pandemia e koronavirusit, si dhe pritja që kësaj pakete t’i bashkëngjitet edhe plani ekonomik dhe investimet për këtë rajon.

Ai ka thënë se puna në kohën e pandemisë e ka bërë të vështirë të parashihet edhe procesi i reformave në rajon dhe zhvillimi ekonomik.

Megjithatë, Varhelyi ka thënë se Komisioni dëshiron që të ketë raporte domethënëse të progresit.

Paketa e zgjerimit, që përmban strategjinë e BE-së për këtë proces dhe raportet individuale të progresit për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë, miratohen dhe publikohen një herë në vit.

Materialin e plotë e gjeni këtu.

Komisionari evropian, Oliver Varhelyi.
Komisionari evropian, Oliver Varhelyi.

19:45 19.5.2020

Bullgaria lehtëson masat e udhëtimit me Serbinë dhe Greqinë

Bullgaria ka thënë se është pajtuar me Greqinë dhe Serbinë që të lehtësojnë disa masa të kufizimit, të zbatuara me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri.

“Ne jemi pajtuar me Greqinë që nga 1 qershori të lejojmë udhëtimin pa karantinë për njerëzit që udhëtojnë për biznes, çështje familjare dhe arsye humanitare”, ka thënë kryeministri, Boyko Borisov para gazetarëve.

Duke folur pas një bisede telefonike me liderë grekë, rumunë dhe serbë, Borisov ka thënë se Sofja dhe Beogradi janë arritur pajtueshmëri, derisa ka thënë se shpreson qe edhe Rumania t’i bashkohet shpejt iniciativës.

Bullgaria ka mbyllur kufijtë për shumicën e udhëtarëve në mes të muajit mars, në kuadër të masave izoluese.

Kthimi i diplomatëve, punëtorëve sezonalë dhe shtetasve bullgarë është mundësuar me kusht të zbatimit të karantinës dyjavore.

Bullgaria ka liruar këtë javë masat e izolimit, teksa është raportuar për rënie të numrit të të infektuarve.

Ky shtet anëtar i Bashkimit Evropian ka raportuar 24 raste të reja më 19 maj, duke e rritur numrin total të të prekurve me koronavirus në 2,259.

Prej tyre, 112 kanë vdekur.

19:14 19.5.2020

Shifra e të papunëve në Britani, më e larta nga viti 1996

Numri i të vdekurve si pasojë e koronavirusit të ri në Mbretërinë e Bashkuar ka arritur në 35,341 një rritje prej 545 viktimave në 24 orët e fundit ka thënë Ministri për Shëndetësi, George Eustice.

Numri i personave që kanë pretenduar se kanë mbetur të papunë dhe kanë kërkuar përfitime nga shteti ka arritur në nivelin më të lartë në 24 vjetët e fundit, teksa pandemia me këtë virus pritet të dëmtojë edhe më shumë bizneset në muajt vijues.

Numri i të papunëve është rritur për 856,500 – njëherësh rritja më e madhe brenda një muaji - në 2.1 milionë, apo një rritje prej 69 për qind në krahasim me të dhënat e muajit mars.

Kjo shifër është krahasuar me ato të papunësisë më 1996, kur ekonomia e Britanisë ka qenë duke dalë nga kriza e një recesioni të thellë, të shkaktuar nga dështimi për të qëndruar në Mekanizmin Evropian për Shkëmbim të Ratave.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, numri i të infektuarve me koronavirus në territorin britanik ka arritur në 247,709​.

18:38 19.5.2020

Të bëhesh nënë në kohë koronavirusi

Mëngjeset nisin ndryshe për Diellza Paloja-Osmanin, prej kur ka sjellë në jetë djalin e saj Blinin.

Në zërin e nënës së re vërehet shumë dashuri dhe vullnet teksa tregon se prioriteti i saj tani është vetëm të sigurohet se foshnja e saj është mirë dhe po ndihet rehat.

Dhe ka qenë pikërisht mbrojtja e jetës së tij dhe vetes, ajo që ka menduar vazhdimisht kur ka pasur vështirësi që të mbajë maskë dhe doreza gjatë procesit të lindjes, për t’u mbrojtur nga infektimi me koronavirus, ani pse këto masa ia kanë rënduar dhimbjet.

“Ka qenë më siklet, sepse ka ekzistuar frika mos është infektuar dikush afër meje, mos po infektohem unë, mos po ia bart edhe foshnjës virusin, kjo e ka bërë këtë përvojë më ndryshe sesa ato të nënave në të kaluarën”, ka thënë ajo.

Për dallim nga Diellza, Dorentina Thaqi-Mehmeti, është bërë nënë për herë të dytë. E pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse ka qenë e stresuar para se të lindte Nilin, në maj të këtij viti, pas situatës së krijuar me koronavirusin e ri, ajo ka thënë:

“Ne fillim po, kur filluan të shfaqeshin rastet e para në Kosovë e sidomos në kohën kur rezultuan pozitivë disa mjekë në repartin e Gjinekologjisë. Duke qenë edhe gazetare dhe duke qenë se kam punuar deri në muajin e fundit të shtatzënisë, u jam ekspozuar lajmeve nga më të ndryshmet. Mirëpo kur është afruar fundi i shtatzënisë më ka qetësuar zvogëlimi i rasteve në Kosovë dhe masat që janë marrë brenda repartit duke mos lënë asnjë shoqërues brenda, si dhe kontrollet (temperatura) në pranim”.

Profesoresha e Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Zamira Hyseni, pohon se te gratë shtatzëna është raportuar një nivel më i madh i frikës nga përhapja e koronavirusit. Distancimi fizik, ka thënë ajo për Radion Evropa e Lirë, është një tjetër faktor që tregon se kjo periudhë ka ndikuar te nënat shtatzëna, të cilat kanë nevojë për mbështetje shtesë gjatë këtij procesi, që edhe në rrethana jo të lidhura me virusin, është mjaft delikat.

Materialin e plotë e gjeni duke klikuar këtu.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG