Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
18:05 19.5.2020

Rusia kritikon kërcënimet e Trumpit ndaj OBSH-së

Rusia ka kritikuar kërcënimet e presidentit amerikan, Donald Trump për largim nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), pas pakënaqësive rreth mënyrës se si është përballur me pandemisë e koronavirusit.

Presidenti amerikan ka fajësuar Kinën për tentim të fshehjes së pandemisë si dhe ka akuzuar OBSH-në, agjencinë për shëndet të Kombeve të Bashkuara, për dështim të mbajtjes së Pekinit përgjegjës.

“Po, ka mundësi për përmirësim (në punën e agjencisë për shëndet)”, ka thënë zëvendësministri rus, Sergei Ryabkov.

“Mirëpo ne jemi kundër shkatërrimit të gjithçkaje për shkak të dëshirave politike dhe gjeopolitike të një shteti”.

Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka thënë se vendet anëtare të Organizatës janë pajtuar për të nisur hetime të pavarura rreth përgjigjjes globale ndaj pandemisë.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, deri më tani janë regjistruar mbi 4 milionë raste të prekura me koronavirus, derisa mbi 300,000 prej tyre kanë vdekur.

17:33 19.5.2020

Anëtarët e OBSH-së pajtohen për hetim të përgjigjjes për koronavirusin

Vendet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë pajtuar për nisje të një hetimi të pavarur për përgjigjjen globale ndaj pandemisë me koronavirus.

Kjo rezolutë, e miratuar pa kundërshtim nga 194 vendet anëtare, përgjatë një takimi vjetor, kësaj here në mënyrë virtuale në Gjenevë, po ashtu lejon që hetimet të zgjerohen edhe në rolin e vetë këtij trupi shëndetësor, pasi OBSH-ja është kritikuar se ka shpallur vonë emergjencën shëndetësore.

Shtetet e Bashkuara në veçanti kanë kritikuar ashpër këtë përgjigjje.

Bashkimi Evropian ka prezantuar rezolutën në emër të 100 kombeve.

Në këtë dokument bëhet thirrje për “vlerësim të pavarur dhe përmbajtësor” të përgjigjjes ndërkombëtare.

Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tashmë është pajtuar për të rishikuar vendimet e kësaj agjencie për pandeminë.

Ai ka thënë se një vlerësim i pavarur mund të tregojë se nga cilat veprime duhet mësuar, dhe se secili rekomandim do të mund të zbatohet “në mundësinë e parë".

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, deri më tani janë regjistruar mbi 4 milionë raste të prekura me koronavirus, derisa mbi 300,000 prej tyre kanë vdekur.

17:05 19.5.2020

Përplasje rreth organizimit të faljes në sheshin e Prishtinës

Disa të rinj myslimanë në Prishtinë, janë mbledhur të martën në sheshin ‘Skenderbe’ dhe janë falur.

Këtë e kanë bërë në shenjë proteste për moshapjen e xhamive. Pas lehtësimit të masave të izolimit dhe hapjes së shumë bizneseve, këta besimtarët myslimanë, po kërkojnë edhe hapjen e xhamive, të cilat u mbyllën si pasojë e përhapjes së koronavirusit të ri.

Përmes një organizimi në rrjetin social, Facebook, ata kanë bërë thirrje që të dalin në ora 16:30 në sheshin ‘Skenderbe’, afër ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

“Në shenjë pakënaqësie për moshapjen e dyerve të xhamive edhe pas fillimit të fazës së dytë të masave lehtësuese nga qeveria, një grup qytetarësh i jemi drejtuar me një kërkesë organeve gjegjëse për hapjen e xhamive dhe kryerjen e namazit me disa kushtëzime konform situatës epidemiologjike”, është thënë në njoftimin e grupit ‘Falu n’shesh’.

Lidhur me këtë ka reaguar Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sipas tij prapa këtij organizimi, qëndron publicisti Milazim Krasniqi.

Lajmin e plotë e gjeni këtu.

16:43 19.5.2020

Dy viktima të reja nga koronavirusi në Maqedoni të Veriut

Ministria e Shëndetësisë në Maqedonisë së Veriut ka njoftuar edhe për dy viktima nga koronavirusi në 24 orët e fundit. Në Klinikën Infektive kanë vdekur, një person i moshës 78-vjeçare nga Shkupi dhe një 77-vjeçar nga Tetova. Sipas Ministrisë, dy viktimat vuanin edhe nga sëmundje kronike.

Me këto dy raste, numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 106.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka bërë sërish thirrje për respektimin e masave pasi sipas tij “të gjithë do të jetojmë me virusin deri në gjetjen e vaksinës kundër tij”.

Ai ka paralajmëruar se rrezik për përhapjen e virusit mbeten tubimet e më shumë personave në vende të hapura dhe të mbyllura andaj edhe ka bërë thirrje për mbajtjen e maskave në vendet ku nuk ka hapësirë për distancë fizike.

Ndërkohë, sa i përket të infektuarve janë regjistruar 22 raste të reja nga 533 teste të kryera. Sipas qyteteve, tetë raste janë regjistruar në Shkup, dy në Shtip, dy në Prilep, tri në Tetovë dhe nga një në Strugë, Veles, Sveti Nikollë dhe Gostivar.

Për dallim nga ditët e kaluara, të martën ka rritje të numrit të të shëruarve. Gjithsej 50 persona janë shëruar plotësisht dhe prej tyre numri më i madh është në Shkup (16), Tetovë (15) dhe Kumanovë (10).

Nga 1,839 persona të diagnostikuar me sëmundjen Covid-19, që shkakton ky virus 1,351 janë shëruar kurse aktualisht aktive janë edhe 382 raste.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG