Është i lirë dhe i qasshëm pothuajse në secilin dyqan. Sapuni këto ditë mund të shpëtojë jetën tuaj (ose të dikujt tjetër).
Suedi: Gati gjysma e vdekjeve me Covid-19, të lidhura me shtëpi kujdesi
Në Suedi, pothuajse gjysma e të gjitha vdekjeve të lidhura me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri, janë raportuar nëpër shtëpi kujdesi, ka thënë Agjencia suedeze për Shëndetin Publik, transmeton BBC.
Të dhënat tjera, të publikuara nga agjencia për të dhëna e financuar nga shteti, kanë treguar se një total prej 10,458 personave kanë vdekur në muajin prill, duke e bërë këtë muajin me së shumti vdekje prej vitit 1993, kur një shpërthim i gripit sezonal pati lënë të vdekur 11,057 njerëz.
Para këtij viti, numri më i madh i viktimave brenda një muaji ishte regjistruar më 1918, në pikun e pandemisë së gripit spanjoll.
Shitja e makinave në BE pëson rënie rekorde - më shumë se 75%
Shitja e makinave të reja në Bashkimin Evropian ka rënë për 76.3 për qind në muajin prill, për shkak të kufizimeve të vendosura për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automjeteve tha të martën se rreth 270,000 makina të reja janë regjistruar muajin e kaluar, krahasuar me 1.14 milion në prill të vitit 2019.
“Muaji i parë i plotë me kufizime për shkak të pandemisë së koronavirusit, ka rezultuar me rënien më të madhe mujore të kërkesave, prejse kanë nisur regjistrimet”, tha Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automjeteve.
Në mars, shitjet kanë rënë për 55.1 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Sektori i makinave ka qenë një nga më të prekurit nga pandemia e koronavirusit, pasi izolimi ka zvogëluar kërkesën e konsumatorit dhe ka detyruar mbylljen e dyqaneve dhe fabrikave të automjeteve në të gjithë Evropën.
Në Itali dhe Spanjë - dy vendet që kanë ndërmarrë disa nga masat më të rrepta për kontrollimin e koronavirusit - shitjet kanë rënë pothuajse në zero.
Pas shërimit nga koronavirusi, kryeministri rus kthehet në punë
Kremlini bëri të ditur se kryeministri rus, Mikhail Mishustin, është kthyer në punë, pasi është shëruar nga koronavirusi.
Një dekret i nënshkruar nga presidenti Vladimir Putin, i botuar në faqen e internetit të Kremlinit, anuloi aktvendimin e tij të mëparshëm, me të cilin zëvendëskryeministri Andrei Belousov është emëruar ushtrues detyre, për shkak të sëmundjes së Mishustinit.
Mishustin ka njoftuar më 30 prill se është diagnostikuar me koronavirus.
Ai ka zhvilluar disa takime online me qeverinë e tij, derisa ishte në spital.
Të martën, autoritetet në Rusi thanë se kanë regjistruar edhe 9,263 raste të reja me koronavirus, të cilat e rrisin në 299,941 numrin e përgjithshëm të të infektuarve në këtë vend.
Shifra për 24 orët e fundit është nën 10,000 për të katërtën ditë me radhë.
Për pjesën më të madhe të muajit maj, numri ditor i të infektuarve në Rusi ka qenë mbi 10,000.
Autoritetet njoftuan të martën edhe për 115 viktima.
Me këtë shifër, numri total i viktimave nga koronavirusi në Rusi arrin në 2,837.