Rastet në Poloni mund të bien brenda javës
Infektimet me koronavirus në Poloni mund të nisin të bien brenda javës, tha ministri i Shëndetësisë i këtij vendi, Lukasz Szumowski.
“Besoj se brenda javës do të jemi në gjendje të themi se trajektorja [e të infektuarve] po bie”, tha Szumowski në një konferencë për media.
Numri i rasteve nuk është duke rënë ende, për shkak të shpërthimit të koronavirusit midis minatorëve të qymyrit në rajonin Silesia.
Deri të martën në mëngjes, 2,683 minatorë kanë dalë pozitivë në testet për koronavirus.
Pesë miniera e kanë pezulluar prodhimin për shkak të shpërthimit, por gërmimet kanë rifilluar pjesërisht të hënën.
Në rajonin Silesia janë regjistruar 150 nga 195 rastet e reja, të konfirmuara të martën.
Në total, Polonia ka regjistruar 19,080 raste me koronavirus.
Prej tyre, 7,903 janë shëruar dhe 941 kanë vdekur.
Pse larja e duarve mund të shpëtojë jetë?
Një nga gjërat më të mira dhe më të thjeshta për t'u mbrojtur nga koronavirusi është larja e duarve. Mjekët këshillojnë që ato të lahen me sapun dhe ujë të ngrohtë në mënyrë që të largohet infeksioni.
BE del në mbrojtje të OBSH-së
Bashkimi Evropian e mbrojti Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe përpjekjet multilaterale për të luftuar koronavirusin, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, kërcënoi me ndërprerjen e fondeve për të.
“Kjo është koha për solidaritet dhe jo për drejtimin e gishtit ose për minimin e bashkëpunimit shumëpalësh", tha për gazetarët zëdhënësja për çështje të jashtme evropiane, Virginie Battu-Henriksson.
Të martën, në seancën e asamblesë vjetore të OBSH-së, Bashkimi Evropian ka sponsorizuar një mocion për një "vlerësim të paanshëm, të pavarur dhe gjithëpërfshirës" të përgjigjes ndërkombëtare ndaj pandemisë.
“Bashkimi Evropian e mbështet OBSH-në në përpjekjet e saj për të zbutur shpërthimin e koronavirusit dhe ka siguruar tashmë fonde shtesë për t’i mbështetur përpjekjet e tilla”, tha Battu-Henriksson.
Lexoni edhe këtë:
Kina thotë se SHBA-ja po përpiqet ta njollosë për pandeminë e koronavirusit
Grindjet diplomatike midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, për rolin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vazhdojnë të përshkallëzohen.
Ministria e Jashtme e Kinës e akuzoi presidentin amerikan, Donald Trump, për sulm ndaj OBSH-së, me qëllim të tërheqjes së vëmendjes nga keqmenaxhimi i pandemisë së koronavirusit.
Trump kërcënoi më herët se do t’i ndalojë përgjithmonë fondet për OBSH-në, nëse kjo e fundit nuk i ndryshon operacionet e saj brenda 30 ditësh.
Trump tha se OBSH-ja “ka treguar mungesë alarmante të pavarësisë nga Kina”.
Sipas tij, OBSH-ja i ka injoruar raportet e besueshme për përhapjen e virusit në Vuhan të Kinës, në fund të vitit të kaluar, dhe ka bërë pretendime për koronavirusin që "ishin ose të pasakta, ose mashtruese".
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijan, tha se SHBA-ja po përpiqet ta njollosë Kinën, për t’u shmangur nga përgjegjësitë e veta.
Trump, muajin e kaluar, i ka pezulluar përkohësisht kontributet e SHBA-së në OBSH, duke e akuzuar atë për njëanshmëri ndaj Kinës.
Zyrtarët e OBSH-së i kanë mohuar akuzat, ndërsa Kina ka thënë se ka qenë ”transparente dhe e hapur”.
Të hënën, OBSH-ja është zotuar se do të bëjë një vlerësim të pavarur të përgjigjes së saj ndaj pandemisë së koronavirusit.
SHBA-ja është vendi më i prekur në botë nga ky virus ngjitës. Mbi 1.5 milion njerëz atje janë infektuar dhe mbi 90,000 kanë humbur jetën.