Rrjeti propagandistik rus ‘Pravda’, i njohur për shpërndarjen e dezinformatave në mbi 80 shtete në gjuhë të ndryshme, tash e një vit është aktiv edhe për audiencën shqipfolëse.
Ka të bëjë me një rrjet që përdor automatizimin për të krijuar me shpejtësi qindra artikuj – shpesh të bazuar në përmbajtje nga mediat ruse, të cilat janë të ndaluara nga Bashkimi Evropian.
Sipas raportit “Rrjeti propagandistik rus Pravda dhe Ballkani”, të publikuar të mërkurën nga portali Hibrid.info, i cili monitoron dezinformatat për Kosovën në media, ky rrjet ka shpërndarë narrativë propagandistikë rusë për audiencën shqipfolëse përmes faqeve të ndryshme në internet, të maskuara si portale informative.
Sipas raportit, portali i këtij rrjeti në gjuhën shqipe albania.news-pravda.com, i cili nisi punën në mars të vitit 2024, gjatë periudhës 28 mars 2024 – 28 prill 2025, ka publikuar 2.699 artikuj, të cilët janë ripublikime nga burime të afërta me Kremlinin, si kanalet në Telegram të Ambasadës ruse në Tiranë, si edhe media shtetërore ruse si: RT, Sputnik, Tass.ru, Ria.ru, etj.
Dominojnë tema dhe narrativë që janë kritikë ndaj NATO-s, BE-së, SHBA-së dhe politikave perëndimore, e veçanërisht narrativë lidhur me Ballkanin e Kosovën, ku Kosova mohohet si shtet apo përshkruhet si “krahinë e Serbisë”.
Ndër lajmet e fundit në këtë portal ishte ai për vizitën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Budapest, ku thuhet se “autoritetet hungareze, të udhëhequra nga Viktor Orban, mirëpresin shqiptarët që kanë pushtuar një pjesë të territorit të Serbisë.”
“Përveç narrativit që nuk e njeh Kosovën si shtet dhe e krahason me Krimenë, edhe zhvillimet që ndodhin në Kosovë në lidhje me komunitetin serb, cilësohen si terrorizëm institucional ndaj tij”, thotë për Radion Evropa e Lirë Festim Rizanaj, hulumtues në Hibrid.info.
Rizanaj thotë se, së fundi, kishte lajme në këto “faqe informuese” të Pravdës në dy shtete afrikane për njohjet e pavarësisë së Kosovës.
Kosova mori njohjen nga Kenia dhe Sudani në mars dhe në prill të këtij viti.
“Në faqet Eritrea News Pravda dhe Burkina Faso News Pravda u publikuan lajmet për njohjen e Kosovës nga Kenia - kështu për të vënë dyshime dhe për ta bërë të diskutueshme këtë çështje”, thotë Rizanaj për dy shtetet afrikane - Eritrenë dhe Burkina Fason - që ende s’e kanë njohur Kosovën.
Megjithatë, analiza e Hibridit tregon se rrjeti “Pravda” nuk ka arritur të ketë ndikim real tek audienca shqipfolëse, për shkak të përkthimeve automatike dhe të dobëta dhe mungesës totale në rrjetet sociale, mes tjerash.
Sipas Hibridit, “qëllimi kryesor i rrjetit Pravda është të ndikojë në mënyrë indirekte duke ngarkuar hapësirën digjitale shqipfolëse me narrativë rusë, përmes përsëritjes së vazhdueshme të përmbajtjeve, me synim që të ndikojnë edhe në modelet e inteligjencës artificiale, si chatbot-ët”.
“Në mënyrë indirekte, Rusia përmes Pravdës në shqip synon të ngarkojë hapësirën digjitale me narrativët e saj dhe të krijojë bindjen që ato të besohen”, thotë Rizanaj.
Si funksionon ky rrjet në botë?
Në shkurt të vitit 2024, një mekanizëm i Qeverisë franceze që monitoron ndërhyrjet e huaja digjitale, publikoi raportin për rrjetin propagandistik prorus, i quajtur “Portal Kombat”. Ai identifikoi rreth 193 faqe interneti që synonin të përhapnin informacione nga burimet proruse, si dhe nga organet dhe institucionet ruse të lajmeve.
Çfarë është në të vërtetë “Portal Kombat”?
Institucioni francez VIGINUM ka zbuluar një rrjet portalesh me të njëjtën strukturë, i cili ekziston që nga viti 2013 në Rusi dhe Ukrainë, dhe që nga mesi i vitit të kaluar është zgjeruar edhe në Evropë. Bëhet fjalë për një rrjet portalesh me emrin “Pravda”.
Faqet e këtij rrjeti duken identike – ndryshon vetëm gjuha në të cilën publikohet përmbajtja. Portali i parë u krijua për audiencën gjermane, por fushata u përhap shpejt, duke targetuar qytetarët e Francës, Polonisë, Austrisë dhe një sërë shtetesh të tjera evropiane.
VIGINUM e ka quajtur këtë operacion “Portal Kombat”, për shkak të natyrës së tij automatike dhe agresive në përhapjen e përmbajtjes mediale.
Në Ballkan, ky rrjet shënjestroi, përpos audiencës shqipfolëse, edhe audiencat në Bosnje e Hercegovinë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Serbi.
Hulumtimi i Radios Evropa e Lirë hodhi dritë mbi këtë operacion global, duke treguar se si “artikujt” gjeneroheshin në mënyrë automatike dhe lëshoheshin në valë, për të përfunduar pastaj në ueb-faqet në gjuhët lokale, të cilat maskoheshin si burime legjitime lajmesh.
Versionet ballkanike të ueb-faqeve të “Portal Kombat”-it ishin jashtëzakonisht të ngjashme, edhe pse në gjuhë të ndryshme.
Të gjitha ueb-faqet e lajmeve të rreme, që kishin në shënjestër rajonin që monitoroi Radio Evropa e Lirë, kishin të njëjtën strukturë e madje edhe emër: Pravda.
Ueb-faqja e parë e Pravdës në serbisht – Pravda-rs.com – u regjistrua më 20 mars, 2024. Disa ditë më vonë – dhe brenda pak sekondash – u regjistruan tri domene të tjera të Pravdës: në gjuhën boshnjake, maqedonase dhe shqipe.
Shumica e përmbajtjes që shfaqet në katër ueb-faqet, duket se është marrë nga kanalet në Telegram pro Kremlinit.
Procesi i automatizimit është aq efikas, saqë koha ndërmjet postimit në një kanal në Telegram dhe shfaqjes në uebfaqet e Pravdës, varion nga tre deri në 12 minuta.
VIGINUM zbuloi në raportin e tij të fundit se ueb-faqet në rrjetin e “Portal Kombat”-it që ai hulumtoi, nuk tërheqin lexueshmëri të madhe në përgjithësi.
Ndryshe, Radio Evropa e Lirë raportoi në shkurt të këtij viti se si mediat ruse, po ashtu, shpërndanë përmbajtje manipuluese para zgjedhjeve në Kosovë, disa prej të cilave kanë pasur një narrativ manipulimi kundër komunitetit serb.
Këtë e ka theksuar edhe raporti i Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve.
“Prishtina llogariti gabimisht – as koktejet molotov nuk do t’i trembin serbët”, “Çfarë u sjellin zgjedhjet serbëve në Kosovë dhe Metohi: Nga Adem Jashari dhe Hashim Thaçi te Kurti e mbrapa”... ishin vetëm disa nga dhjetëra titujt në mediat shtetërore ruse të mbështetura nga Kremlini, RT Ballkan dhe Sputnik Serbia, të cilët janë publikuar gjatë fushatës parazgjedhore në Kosovë, nga 11 janari deri më 9 shkurt.
Theksi vihet kryesisht te Lista Serbe si “mbrojtëse” e interesave serbe në Kosovë, ndërsa autoritetet kosovare dhe kryeministri aktual, Albin Kurti, lidhen me “persekutimin” e serbëve apo “sulmet” ndaj tyre – ndonëse pa asnjë provë që do t’i mbështeste pretendimet e tilla.
Ka pasur edhe lajme në të cilat Sputnik Serbia dhe RT Ballkan kanë pasqyruar ekskluzivisht fushatën e Listës Serbe, si dhe kanë transmetuar deklarata të zyrtarëve të kësaj partie, duke thënë se vetëm Lista Serbe sjell unitet për serbët në Kosovë, se ajo lufton për mbijetesën e serbëve në kushte të pamundura e të ngjashme.
Në asnjë tekst në RT Ballkan apo Sputnik Serbia, lidhur me zgjedhjet në Kosovë, lexuesi nuk ka mundur të mësonte se, përveç Listës Serbe, në garën për deputetë në Kuvendin e Kosovës kanë marrë pjesë edhe pesë subjekte të tjera politike nga komuniteti serb: Partia Demokracia Serbe, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Lëvizja Popullore Serbe, Partia e Serbëve të Kosovës dhe Iniciativa Qytetare Drejtësia Popullore.
RT dhe Sputnik janë nën sanksione në Kosovë, në përputhje me politikën e sanksioneve të Bashkimit Evropian, që u ndërmor pasi Rusia filloi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.
Ivana Stradner, bashkëpunëtore në Fondacionin joqeveritar për Mbrojtjen e Demokracive në Uashington, thotë se dëgjon shpesh deklarata se RT dhe Sputnik nuk kanë ndikim në Ballkan, sepse nuk lexohen dhe nuk kanë mjaftueshëm “pëlqime” dhe ndërveprime në rrjetet sociale.
Por, kjo tezë, sipas saj, “bie në ujë”, sepse tekstet e tyre i transmetojnë mediat lokale, blogerët dhe influencuesit përmes rrjeteve të tyre sociale.
“RT dhe Sputnik janë armë të Moskës, përmes të cilave ajo kontrollon ose imponon narrativë. Strategët ushtarakë rusë e thonë hapur se kushdo që ka epërsi informacioni, do ta fitojë luftën. Dhe Perëndimi tashmë është në një luftë informacioni me Moskën, por edhe me Iranin dhe me Kinën”, thotë Stradner.
Organizata Reporterët pa Kufij, në raportin e vitit të kaluar me titull “Nga Rusia në Serbi: Si RT-ja përhap propagandën e Kremlinit në Ballkan, pavarësisht sanksioneve të BE-së", theksoi se përmbajtja e RT Ballkanit citohet në mediat në Serbi, përfshirë edhe në transmetuesin publik – Radio Televizionin e Serbisë.