Izraeli kryen sulme në perëndim të Iranit
Ushtria izraelite tha se ka kryer një valë të re sulmesh të dielën, që kanë shënjestruar caqe ushtarake, përfshirë raketahedhës në perëndim të Iranit, pasi SHBA-ja sulmoi centralet bërthamore iraniane.
Forcat ajrore nisën “një seri sulmesh ndaj caqeve ushtarake në Iranin perëndimor”, thuhet në një deklaratë ushtarake, ku shtohet se “kanë goditur vende nga ku lëshohen raketat drejt Izraelit, ushtarë të forcave të armatosura iraniane, dhe kanë neutralizuar me shpejtësi pajisjet ushtarake që pak më parë kishin lëshuar raketa drejt Izraelit”.
Kallas bën thirrje për uljen e tensioneve
Shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, bëri thirrje për ulje të tensioneve dhe kthim në tavolinën e bisedimeve, pas sulmeve amerikane në Iran.
“U bëj thirrje të gjitha palëve të tërhiqen, të kthehen në tavolinën e bisedimeve dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejmë”, tha Kallas.
Ajo shtoi se Irani nuk duhet të lejohet që të ketë armë bërthamore dhe se ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë për situatën në Lindjen e Mesme të hënën.
Nëse sapo jeni bashkuar, ja ç’duhet të dini deri tani:
- Shtetet e Bashkuarame kanë goditur tre objekte bërthamore iraniane, duke u përfshirë zyrtarisht në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit.
- Objektet e goditura janë: Fordo, Natanz dhe Esfahan.
- Presidenti Donald Trump e quajti këtë një “sukses spektakolar ushtarak”.
- Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, i cilësoi sulmet si “të turpshme” dhe paralajmëroi se ato “do të kenë pasoja të përhershme”, në një postim në X.
- Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e përgëzoi Trumpin për sulmet “e guximshme” të SHBA-së, duke i quajtur një moment historik që mund ta çojë Lindjen e Mesme drejt paqes.
- Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se është “i alarmuar” nga përdorimi i forcës nga ana e SHBA-së.
- Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, bëri thirrje për ulje të tensioneve dhe kthim në tryezën e bisedimeve.
- Edhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, i bëri thirrje Iranit të kthehet në dialog, duke theksuar se stabiliteti në Lindjen e Mesme mbetet një prioritet.
- Izraeli dhe Irani shkëmbyen një valë të re sulmesh më 22 qershor, pas sulmeve amerikane ndaj ndërtesave bërthamore të Republikës Islamike.
Iraku kritikon sulmet amerikane në Iran
Vazhdojnë reagimet nga e mbarë bota, pas përfshirjes së SHBA-së në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit.
Iraku paralajmëroi se sulmet e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore në Iranin fqinj rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme.
“Ky përshkallëzim ushtarak paraqet kërcënim të madh për paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme dhe paraqet rreziqe serioze për stabilitetin rajonal”, tha zëdhënësi i Qeverisë irakiane, Basim Alawadi.