Grossi: Është i paqartë dëmi i shkaktuar në Fordo
Përderisa është e qartë se sulmet amerikane goditën centralin nëntokësor bërthamor të Iranit, Fordo, ende nuk ka mundësi që të vlerësohet dëmi i shkaktuar atje.
Kështu tha për CNN, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore, Rafael Grossi.
Inspektorët e kësaj agjencie të OKB-së nuk kanë mundur të inspektojnë këtë central bërthamor që nga sulmet e para ajrore të kryera nga Izraeli më 13 qershor ndaj Iranit. Grossi tha se shpreson që ekipi i tij të mund të shkojë në këtë impiant nëntokësor sa më shpejt për të vlerësuar dëmet e shkaktuara.
Ai tha se nuk mund të përjashtohet mundësia që në Fordo ka dëme të mëdha.
Grossi shtoi se “ne duhet të kthehemi në tavolinën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur, inspektorët duhet të jenë në gjendje të kthehen në objektet bërthamore të Iranit.
Irani: Nuk mund të shkatërrohen njohuritë në fushën bërthamore
Irani tha se njohuritë në fushën bërthamore “nuk mund të shkatërrohen”, pasi SHBA-ja tha se ka shkatërruar ambiciet nukleare të Republikës Islamike.
“Ata duhet ta dinë se kjo industri ka rrënjë në shtetin tonë dhe rrënjët e kësaj industrie kombëtare nuk mund të shkatërrohen”, tha zëdhënësi i Organizatës për Energji Bërthamore të Iranit, Behrouz Kamalvandi, sipas agjencisë Tasnim.
“Sigurisht, ne kemi pësuar dëme, por nuk është hera e parë që kjo industri pëson dëme”, shtoi ai.
Fordo, para dhe pas sulmeve
Në fotogalerinë e mëposhtme mund të shihni imazhet satelitore që shfaqin centralin bërthamor Fordo, para dhe pas sulmeve të SHBA-së.
Vance: Duam një zgjidhje diplomatike me Iranin
Nënpresidenti amerikan, JD Vance, tha se shteti i tij me sukses dëmtoi programin e armëve bërthamore të Iranit dhe tani presidenti amerikan, Donald Trump, shpreson që të ndiqet një zgjidhje diplomatike.
“Duam t’i japim fund programit të tyre bërthamor”, tha Vance gjatë një interviste për NBC.
“Duam të flasim me iranianët për një zgjidhje afatgjate për këtë çështje”, shtoi ai.