Katari kërkon shmangie të përshkallëzimit
Lidhur me sulmet ndaj objekteve bërthamore iraniane ka reaguar edhe Katari.
Ministria e Jashtme e Katarit u bëri thirrje të gjitha palëve të vetëpërmbahen dhe të “shmangin përshkallëzimin, të cilin populli i rajonit, i prekur nga konfliktet dhe pasojat e rënda humanitare, nuk mund ta tolerojë”.
Katari ka shërbyer si ndërmjetës kyç në luftën mes Izraelit dhe Hamasit dhe është mikpritës i bazës më të madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.
Merz: Irani të nisë bisedimet me SHBA-në dhe Izraelin
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, i bëri thirrje Iranit që menjëherë të nisë bisedime me SHBA-në dhe Izraelin për të gjetur një zgjidhje diplomatike për konfliktin aktual.
Sipas zëdhënësit të tij, Merz do të “koordinohet ngushtë” me partnerët e tij në SHBA dhe BE për hapat e mëtejmë sa i përket situatës në Lindjen e Mesme.
Kurti përkrah SHBA-në pas sulmeve në Iran
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se shteti i tij përkrah qëndrimin e SHBA-së dhe BE-së sa i përket programit bërthamor të Iranit.
“Siguria ndërkombëtare ka nevojë për më pak armatim nuklear dhe jo më shumë bomba bërthamore që vënë në rrezik gjithë njerëzimin. Posaçërisht kur shtete autoritare zhvillojnë programe për pajisje me armatim nuklear, kjo çështje bëhet urgjente dhe alarmuese”, tha ai përmes një postimi në Facebook.
Kurti tha se SHBA-ja është partnerja e pazëvendësueshme e Kosovës dhe i mbështet vendimet e Uashingtonit.
“SHBA-ja është superfuqia superfuqia demokratike që duhen mbështetur”, tha ai.
Omani dënon sulmet e SHBA-së në Iran
Omani ka dënuar sulmet ajrore në Iran, duke thënë se ato përshkallëzojnë tensionet në Lindjen e Mesme.
Sulmet amerikane kërcënojnë “që të zgjerojë shkallën e konfliktit dhe paraqesin shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Omanit përmes një deklarate.
Omani kishte ndërmjetësuar bisedimet bërthamore mes Iranit dhe SHBA-së, të cilat u ndërprenë pasi Izraeli nisi sulmet ndaj Iranit më 13 qershor.