Trump për sulmin e SHBA-së në Iran: Sukses ushtarak spektakolar
Në videon e mëposhtme mund të shihni pjesë të fjalimit të presidentit Trump drejtuar kombit, kur njoftoi për sulmet amerikane ndaj objekteve bërthamore të Iranit.
Cili është qëllimi përfundimtar i Izraelit në Iran?
Teksa tensionet në Teheran janë të larta, disa vazhdojnë të qarkullojnë idenë e përdorimit të forcës për të bërë ndryshim politik në Iran.
Arabia Saudite bën thirrje për përmbajtje
Arabia Saudite shprehu “shqetësim të thellë” lidhur me sulmet në centralet bërthamore “të Republikës mike Islamike të Iranit”.
“Mbretëria thekson nevojën që të bëhen përpjekje maksimale për vetëpërmbajtje, ulje të tensioneve dhe shmangie të përshkallëzimit të mëtejmë”, tha Ministria e Jashtme saudite përmes në postimi në X.
Demokratët reagojnë pas sulmeve në Iran
Zyrtarë të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara kanë reaguar pasi presidenti republikan, Donald Trump, mori vendim për sulme ndaj Iranit.
Anëtarja e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, senatorja demokrate, Jeane Shaheen, tha ende po pret që të kuptojë shkallën e veprimit ushtarak amerikan ndaj centraleve bërthamore të Iranit.
“SHBA-ja nuk duhet të ngutet që të futet në luftë me Iranin. Fatkeqësisht, presidenti Trump nuk e ka vazhduar traditën dypartiake që rregullisht të informojë Kongresin për ngjarje të mëdha të sigurisë kombëtare që prekin amerikanët në mbarë botën. Shërbyesit publikë amerikanë - vetëm në Lindjen e Mesme, SHBA-ja ka 40.000 trupa – dhe diplomatët tanë, familjet e tyre dhe qytetarët tanë padyshim që janë më të rrezikuar pas veprimeve të sotme. Trump duhet të ulë tensionet me Iranin dhe menjëherë të informojë Kongresin”, tha ajo.
Senatori Chris Murphy, tha se javën e kaluar është informuar nga inteligjenca për zhvillimet.
“Irani nuk paraqet kërcënim të menjëhershëm për sulm ndaj SHBA-së. Irani nuk ishte afër krijimit të një arme bërthamore. Bisedimet bërthamore, që Izraeli i ndërpreu me sulmet e tij, kishin gjasa të prodhonin sukses”, shkroi ai në X.
Kongresisti Hakeem Jeffries e akuzoi presidentin Trump se e mashtroi vendin sa i përket qëllimeve të tij, “dështoi të kërkonte autorizim nga Kongresi për përdorimin e forcës ushtarake dhe rrezikon përfshirjen e Amerikës në një luftë të rrezikshme në Lindjen e Mesme”.