Libani thotë se s’dëshiron të përfshihet në konflikt
Reagime për sulmet amerikane në Iran ka pasur edhe nga Libani, shtet që gjendet në kufi me Izraelin.
Kryeministri i këtij shteti, Nawaf Salam, tha se Libani nuk duhet të përfshihet në konflikt, nëse ai përhapet në mbarë rajonin e Lindjes së Mesme.
“Për ne është gjithnjë e më e rëndësishme që t’i përmbahemi interesit më të lartë kombëtar, që është nevoja për të shmangur përfshirjen e Libanit... në konfrontimin rajonal, në çfarëdo forme”, tha Salam.
Shefi i OKB-së “i alarmuar” pas sulmeve amerikane
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se është “i alarmuar” nga përdorimi i forcës nga SHBA-ja.
“Ekziston një rrezik në rritje që ky konflikt të dalë shpejt jashtë kontrollit, me pasoja katastrofike për civilët, rajonin dhe botën”, tha Guterres.
“Nuk ka zgjidhje ushtarake. Rruga e vetme përpara është diplomacia”, shtoi ai përmes një postimi në X.
Starmer i bën thirrje Iranit të kthehet në tavolinën e bisedimeve
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, i bëri thirrje Iranit që të kthehet në tavolinën e bisedimeve, duke shtuar se stabiliteti në Lindjen e Mesme mbetet prioritet.
“Programi bërthamor i Iranit paraqet kërcënim të madh për sigurinë ndërkombëtare. Irani nuk duhet të lejohet kurrë që të zhvillojë armë bërthamore dhe SHBA-ja ka ndërmarrë veprime për ta minimizuar këtë kërcënim”, tha Starmer, sipas një njoftimi të lëshuar nga zyra e tij.
Agjencia e OKB-së nuk raporton për rritje të rrezatimit në Iran
Agjencia e OKB-së për Energji Bërthamore tha se nuk ka vërejtur rritjen e niveleve të rrezatimit në objektet kryesore bërthamore të Iranit, pas sulmeve amerikane.
“Pas sulmeve në tre objektet bërthamore në Iran... Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore mund të konfirmojë se deri më tani nuk është raportuar që në këtë objekte ka rritje të rrezatimit”, tha kjo agjenci përmes një postimi në X.