Të ashtuquajturat E3: Britania, Franca dhe Gjermania, kanë paralajmëruar se do ta aktivizojnë një mekanizëm - me të cilin kanë kërcënuar shpesh por s’e kanë përdorur kurrë - në Kombet e Bashkuara, i cili mund t’i rikthejë sanksionet botërore ndaj Iranit. Afati i tyre: fundi i gushtit, nëse Teherani nuk bën përparim të dukshëm në bisedimet bërthamore me Shtetet e Bashkuara.
Mekanizmi i njohur si “snapback” është një proces i posaçëm i krijuar së bashku me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin, i miratuar zyrtarisht nga Rezoluta 2231 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Qëllimi i këtij mekanizmi është të garantojë që, nëse Irani shkel rëndë marrëveshjen, komuniteti ndërkombëtar të mund t’i rikthejë menjëherë të gjitha sanksionet e OKB-së që ekzistonin para marrëveshjes, pa u bllokuar nga vetot e fuqive të mëdha, apo nga negociata të pafundme.
Edhe pse ky mekanizëm është nofkë dhe jo term ligjor, ai është bërë shkurtesë e zakonshme për rikthimin automatik të sanksioneve. E3-ja tashmë e kanë njoftuar OKB-në se janë të gatshëm ta përdorin atë, një hap që mund t’i përshkallëzojë ndjeshëm tensionet mbi programin bërthamor iranian.
Vetë mekanizmi skadon më 18 tetor, duke u lënë evropianëve pak kohë për të vepruar.
Si rikthehen sanksionet e OKB-së?
Marrëveshja bërthamore, e njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), përfshin një proces të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Nëse një pjesëmarrës i marrëveshjes, si shtetet e E3, beson se Irani është duke “bërë shpërfillje të madhe”, ai mund ta ngrejë çështjen përmes mekanizmave të brendshëm të JCPOA-së dhe përfundimisht ta referojë atë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Pasi çështja arrin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, nis një afat 30-ditor. Gjatë atyre 30 ditëve, këshilli duhet ta miratojë një rezolutë të re për të vazhduar lehtësimin e sanksioneve ndaj Iranit. Nëse ajo rezolutë nuk miratohet në kohë, sanksionet e vjetra të OKB-së, të cilat ishin hequr në bazë të marrëveshjes së vitit 2015, rikthehen automatikisht. Nuk nevojitet asnjë votim tjetër.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, ka këmbëngulur prej javësh se autoriteti ligjor i E3-shit për ta aktivizuar mekanizmin është “shumë i dyshimtë,” pasi ata kërkojnë që Irani ta braktisë pasurimin e uraniumit, gjë që, sipas tij, bie ndesh me JCPOA-n.
Argumenti i tyre është se vendet e E3-shit po e shkelin marrëveshjen dhe për këtë arsye nuk janë më palë në të.
Por, “ky argument nuk ka asnjë bazë”, tha Richard Nephew, i cili shërbeu si eksperti kryesor për sanksionet në ekipin amerikan që negocioi JCPOA-n.
“Nuk ekziston asnjë mekanizëm me të cilin një pjesëmarrës i JCPOA-s mund të përjashtojë një pjesëmarrës tjetër nga marrëveshja”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
“Vendet e E3-shit nuk u tërhoqën kurrë si SHBA-ja, kështu që ato ruajnë të drejtat e tyre”, nënvizoi ai.
Irani ka kërcënuar gjithashtu me kundërpërgjigje, përfshirë edhe tërheqjen nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).
Diplomatët iranianë do të takohen me homologët e tyre evropianë më 28 gusht në një përpjekje të fundit për të parandaluar aktivizimin e këtij mekanizmi.
Pse ky mekanizëm quhet “Snapback”?
Një tipar kyç – dhe arsyeja pse quhet “snapback” – është fakti se procesi nuk mund të bllokohet nga vetoja. Normalisht, një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mund të vendoste veton ndaj një rezolute për vendosjen e sanksioneve. Këtu, sistemi është i përmbysur: për të mbajtur në fuqi lehtësimin e sanksioneve, këshilli duhet ta miratojë një rezolutë të re.
Çdo veto ndaj asaj rezolute e pengon atë të kalojë, dhe pasi gjendja e paracaktuar është që sanksionet rikthehen nëse nuk miratohet rezoluta brenda 30 ditëve, vetoja në fakt e përshpejton rikthimin e sanksioneve në vend që ta ndalojë atë. Në praktikë, sapo një pjesëmarrës e aktivizon procesin, është shumë e vështirë të parandalohet rikthimi i sanksioneve të vjetra.
Irani thotë se po punon me Kinën dhe Rusinë – të dyja anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe palë të JCPOA-së – për ta “ndalur” procesin.
Por, sipas Nephew, kjo nuk është ligjërisht e mundur.
Ai theksoi se i vetmi argument që Pekini dhe Moska mund të bëjnë është se marrëveshja bërthamore nuk ekziston më, “por kjo është vërtet, vërtet e vështirë të bëhet”.
Çfarë sanksionesh do të rikthehen?
Nëse procesi i mekanizmit “snapback” është i suksesshëm, OKB-ja do t’i rikthejë gjashtë rezolutat e Këshillit të Sigurimit për Iranin të miratuara mes viteve 2006 dhe 2010.
Ato përfshijnë kufizime të gjera si embargoja e armëve konvencionale të OKB-së, masa që ndalojnë aktivitete të lidhura me raketa balistike të afta të bartin armë bërthamore, si dhe ngrirje asetesh, ndalime udhëtimi dhe rregulla të tjera lidhur me proliferimin.
Në terma praktikë, kjo nënkupton rikthimin e një kornize të gjerë ligjore të mbështetur nga OKB-ja, të cilën qeveritë, bankat, transportuesit, siguruesit dhe ofruesit e teknologjisë e marrin seriozisht.
A do ta prekin Iranin këto sanksione?
Zyrtarët iranianë i kanë minimizuar efektet e mundshme të rikthimit të sanksioneve të OKB-së, duke pretenduar se ndikimi i tyre është i ekzagjeruar.
Edhe pse Shtetet e Bashkuara tashmë mbajnë sanksione të mëdha të njëanshme që kufizojnë rëndë ekonominë dhe eksportet e energjisë së Iranit, rikthimi i sanksioneve të OKB-së do të ketë gjithsesi rëndësi.
Nephew argumentoi se tregtia bërthamore dhe raketore e Iranit do të goditet më shumë.
“Të dyja këto gjëra do të jenë të paligjshme, së bashku me importet me përdorim të dyfishtë që Irani do të ketë nevojë për t’i rindërtuar këto programe”, tha ai.
Këmbëngulja e Iranit se sanksionet nuk do të kenë ndikim të madh bie ndesh me paralajmërimet e tij për hakmarrje nëse ato rivendosen.
“Sanksionet nuk mund të jenë aq të rënda sa të detyrojnë Iranin të tërhiqet nga NPT-ja dhe aq të parëndësishme sa të mos kenë aspak ndikim”, tha Nephew.