Koreja e Veriut ka testuar një mori raketash gjatë viteve të fundit, duke përfshirë disa që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Koreja e Jugut kanë vlerësuar se kanë qenë në kuadër të testimeve të sistemeve interkontinentale. Testimet janë parë po ashtu si përpjekje e Phenianit për të treguar se ka sisteme të besueshme raketore që mund të bartin koka bërthamore.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ia ndalon Koresë së Veriut testimin e raketave balistike dhe atyre bërthamore, prandaj edhe ka vendosur sanksione ndaj saj. Por, ky shtet i Azisë Lindore ka shkelur vazhdimisht ndalesën, ndërsa udhëheqësi koreanoverior, Kim Jong Un, është zotuar se do të rrisë kapacitetet shtetërore për mbrojtje.
Shumica e pamjeve në këtë fotogaleri janë publikuar nga agjencia shtetërore koreanoveriore e lajmeve KCNA, dhe janë shpërndarë nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters, e cila nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur datën e shkrepjes së fotografive.
(Përgatiti: Trim Haliti)
Raketat e Koresë së Veriut

21
Udhëheqësi koreanoverior, Kim Jong Un, duke shikuar testimin e lëshimit të një rakete balistike nga Forca Strategjike e Ushtrisë Popullore Koreane, në një lokacion të panjohur. Fotografi e publikuar më 11 mars 2016.

22
Udhëheqësi koreanoverior, Kim Jong Un, duke shikuar lëshimin e raketave taktike, gjatë manovrave ushtarake. Fotografi e publikuar më 10 korrik 2014.

23
Një raketë duke u bartur nga një automjet ushtarak, gjatë një parade për të shënuar përvjetorin e 60-të të nënshkrimit të një armëpushimi në Luftën Koreane të viteve 1950-53, në sheshin Kim Il Sung, në Phenian, më 27 korrik 2013.

24
Raketa "Unha-3", me versionin e dytë të salitetit "Kwangmyongsong-3", duke u nisur nga një bazë në qarkun Çolsan të provincës së Pjonganit Verior, më 12 dhjetor 2012. Fotografi e publikuar më 14 dhjetor 2012.