Koreja e Veriut ka testuar një mori raketash gjatë viteve të fundit, duke përfshirë disa që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Koreja e Jugut kanë vlerësuar se kanë qenë në kuadër të testimeve të sistemeve interkontinentale. Testimet janë parë po ashtu si përpjekje e Phenianit për të treguar se ka sisteme të besueshme raketore që mund të bartin koka bërthamore.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ia ndalon Koresë së Veriut testimin e raketave balistike dhe atyre bërthamore, prandaj edhe ka vendosur sanksione ndaj saj. Por, ky shtet i Azisë Lindore ka shkelur vazhdimisht ndalesën, ndërsa udhëheqësi koreanoverior, Kim Jong Un, është zotuar se do të rrisë kapacitetet shtetërore për mbrojtje.
Shumica e pamjeve në këtë fotogaleri janë publikuar nga agjencia shtetërore koreanoveriore e lajmeve KCNA, dhe janë shpërndarë nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters, e cila nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur datën e shkrepjes së fotografive.
(Përgatiti: Trim Haliti)
Raketat e Koresë së Veriut

25
Shkencëtarët koreanoveriorë duke punuar, teksa një ekran shfaqte lëshimin e raketës "Unha-3". Fotografi e publikuar më 12 dhjetor 2012.

26
Inxhinierët duke kontrolluar bazën e vendosjes së raketës "Unha-3", në veriperëndim të Phenianit, më 8 prill 2012.

27
Një njësit raketor koreanoverior duke marrë pjesë në një paradë ushtarake, për të shënuar përvjetorin e 75-të të themelimit të Ushtrisë Popullore Koreane, në Phenian, më 25 prill 2007. Fotografi e publikuar më 28 prill 2007.