Ministri Sveçla kritikohet pse e fotografoi dhe postoi një aktivist të LDK-së
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është kritikuar pasi e kishte fotografuar dhe më pas postuar në rrjetet e tij sociale një aktivist të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Sveçla, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, në videot e postuara në rrjetet sociale dëgjohet duke i thënë aktivistit se nuk i lejohet të qëndrojë përreth një qendre votimi në Prishtinë, duke bartur simbole të partisë.
Aktivisti dëgjohet duke iu përgjigjur atij se ndodhet jashtë rrethojave të qendrës së votimit dhe në video ai mund të shihet duke qëndruar në trotuar.
Sveçla i postoi dy fotografi të aktivistit në fjalë në Facebook-un e vet, ku shkroi : “‘Institucionalistët’ në shkelje të ligjit për zgjedhjet para qendrës së votimit me simbol partiak. Panik!”
Ndaj veprimit të Sveçlës reagoi LDK-ja, e cila e dënoi veprimin e tij si “të papranueshëm, arrogant dhe kërcënues”.
“Një reagim i tillë, i shoqëruar me tone agresive dhe sjellje denigruese, është shenjë e qartë e panikut dhe humbjes së kontrollit politik të atyre që për vite kanë keqpërdorur institucionet e shtetit, e sot ndjehen të zhveshur nga mbështetja qytetare. Përballë qytetarëve dhe simboleve tona, z. Sveçla ka zgjedhur arrogancën në vend të maturisë, kërcënimin në vend të kulturës demokratike”, tha LDK në një reagim.
Ndërkohë, Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus, shkroi në Facebook se ndërhyrja e Sveçlës është “presion politik dhe intimidim ndaj qytetarëve apo zyrtarëve të partive”.
“Ky veprim është i papranueshëm dhe bie ndesh me parimet themelore të neutralitetit institucional gjatë procesit zgjedhor. Ministri i Punëve të Brendshme, si përfaqësues i një institucioni që ka rol kyç në sigurinë publike gjatë zgjedhjeve, duhet të ruajë neutralitet të plotë politik”, shkroi Krasniqi.
Sipas rregullave zgjedhore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, hapësira e qendrave të votimit ku ndalohet të shfaqen materiale të fushatës zgjedhore përfshin vetëm hapësirën e brendshme të qendrës deri në rrethojat e saj.
“Sot, Ministri i Punëve të Brendshme, në vend se të garantojë rendin dhe sigurinë për të gjithë qytetarët njësoj, fotografon dhe kërcënon një zyrtare të një partie politike që po kalonte rrugës pranë një qendre votimi - pa asnjë shkelje të rregullave zgjedhore”, shtoi ai.
Dalja në votime deri në orën 13, vetëm mbi 13 për qind
Dalja në votime në 18 komunat e vendit ku po zhvillohet balotazhi për kryetar komune vazhdon të jetë e ulët.
Deri në orën 13:00 kanë votuar vetëm 13,05 për qind e mbi 1 milion qytetarëve me të drejtë vote në këto komuna, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Presidentja voton në Prishtinë: Kemi demokracinë më të fortë elektorale në rajon
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka votuar në Prishtinë në balotazhin për kryetarin e kryeqytetit të vendit, nga ku u bëri thirrje qytetarëve të dalin për ta ushtruar të drejtën e tyre për të votuar.
“Shpresoj që secili prej qytetarëve me të drejtë vote do ta shfrytëzojë këtë të drejtë dhe do të dalë në votime”, tha Osmani për media.
Ajo shtoi se Kosova “e ka demokracinë më të fortë elektorale në rajon, dhe kjo është për shkak të pjesëmarrjes së qytetarëve, për shkak të rregullsisë së proceseve zgjedhore dhe për shkak se gjithmonë organizojmë zgjedhje të lira e demokratike”.