Ndalohen dy persona nën dyshimin për dhënie dhe marrje ryshfeti në lidhje me votimin
Dy persona janë ndaluar nga autoritetet në komunën e Fushë Kosovës, nën dyshimin se kanë dhënë marrë ryshfet në lidhje me votimin, njoftoi Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Prokuroria tha se e ka sekuestruar një telefon, “i cili do të shërbejë si provë në procedurën e mëtejme hetimore”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë do të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme konform dispozitave ligjore për ndriçimin e plotë të rastit”, thuhet në njoftim.
Dhënia apo pranimi i ryshfetit në lidhje me votën në zgjedhje në Kosovë dënohet me burgim prej një deri në pesë, sipas Kodit Penal të Kosovës.
KQZ: Procesi po zhvillohet normalisht dhe pa incidente
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur në një konferencë për media se procesi i votimeve në balotazhin për kryetar komune në 18 komunat e vendit po zhvillohet normalisht dhe pa incidente.
“Nuk janë evidentuar parregullsi që do të mund të ndikonin në integritetin apo rrjedhën e përgjithshme të zgjedhjeve”, tha kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi në një konferencë të shkurtër për media.
Rama: Këto zgjedhje e definojnë edhe të ardhmen e vendit
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Përparim Rama, tha se uron që “më i miri të fitojë” garën për kryeqytetin në balotazhin e sotëm.
Pasi votoi pak para mesditës, Rama tha gjithashtu se dëshiron t’i falënderojë “të gjithë qytetarët për pjekurinë e maturinë që kanë treguar në këto zgjedhje”.
Rama përballet me Hajrulla Çekun e Lëvizjes Vetëvendosje për të parin e Prishtinës.
Ai beson se këto zgjedhje janë të rëndësishme dhe se ato “nuk e definojnë vetëm të ardhmen e kryeqytetit por të ardhmen e gjithë vendit”.
Mbi 6 për qind votuan deri në orën 11:00
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se 6,13 për qind e qytetarëve kanë votuar deri në orën 11:00 në 18 komunat ku po zhvillohet balotazhi për kryetar komune.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se 80.659 qytetarë votuan në këto 18 komuna deri në orën 11:00, sipas të dhënave nga mbi 95 për qind të vendvotimeve.
Mbi 1 milion qytetarë kanë të drejtë vote në balotazh.
Kjo është një dalje pak më e ulët krahasuar me rundin e parë të zgjedhjeve më 12 tetor, kur deri në orën e njëjtë në këto 18 komuna kishin votuar 7.58 për qind.