Ndërlidhjet

Festa e LDK-së në Prishtinë, pas fitores më 9 nëntor.
Festa e LDK-së në Prishtinë, pas fitores më 9 nëntor.

Rezultatet e balotazhit: LDK fiton 5 komuna, LVV dhe AAK nga 4, PDK 3

• Qytetarët në 18 komuna votuan më 9 nëntor për t’i zgjedhur kryetarët e tyre përkatës.

• Në këtë rund, LDK-ja fitoi pesë komuna, LVV-ja dhe AAK-ja në katër, ndërkaq PDK-ja në tre.

• Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dalja ishte mbi 32 për qind.

11:25 9.11.2025

Krasniqi: Është një ditë e mirë për komunat dhe për Kosovën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha u bëri thirrje qytetarëve të vendit të dalin dhe të marrin pjesë në balotazhin për kryetarë komunash.

Krasniqi, i cili votoi në Prishtinë, tha se “secili qytetar duhet dhe mund të luajë rol të rëndësishëm për t’u dhënë drejtim komunave ku jetojnë për katër vjetët e ardhshme”.

“Uroj që edhe ky proces të zhvillohet me rregull, ashtu siç ka shkuar edhe raundi i parë, dhe që qytetarët vërtet të vendosin për të ardhmen e tyre ashtu siç dëshirojnë ata”, tha ai.

11:07 9.11.2025

Abdixhiku i LDK-së pret zgjedhje parlamentare në dhjetor

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka kthyer vëmendjen të mundësia e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, teksa votoi në Prishtinë në balotazhin për kryetar të kryeqytetit.

Ai tha se “nga dita e nesërme do të kthejmë fokusin te zgjedhjet nacionale. Pritjet tashmë janë se në fund të dhjetorit do të kemi festën e ardhshme zgjedhore”.

Sa për dijeni, Kosova mund të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare në fund të dhjetorin, pasi partitë parlamentare kanë dështuar ta zgjedhin qeverinë e re, pas zgjedhjeve të shkurtit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka nominuar Glauk Konjufcën e partisë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, për të provuar ta bëjë qeverinë e re.

Nuk është e qartë se ai e gëzon mbështetjen e Kuvendit për këtë, pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dështoi t’i fitojë 61 votat e nevojshme në përpjekje e tij javë më parë.

10:42 9.11.2025

Votimet në balotazh përmes fotografive

09:52 9.11.2025

Balotazhi pa garë në Kllokot

Në 18 komunat e Kosovës u nevojit një rund i dytë votimi për shkak të garës së ngushtë mes kandidatëve, megjithatë, është një komunë në këtë rund ku nuk do të ketë garë praktikisht.

Kllokoti – komunë me shumicë serbe – mban balotazh vetëm formalisht, sepse Sreqko Spasiq nga Iniciativa Qytetare Uniteti Kombëtar Serb, u tërhoq nga gara dhe u kërkoi mbështetësve të tij të votojnë për kundërshtarin e tij, Bozhidar Dejanoviq, i cili vjen nga Lista Serbe.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që gëzon edhe mbështetjen e Beogradit, i fitoi nëntë komunat e tjera më shumicë serbe në rundin e parë më 12 tetor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë shpjegoi se zgjedhjet në Kllokot duhet të mbahen formalisht, sepse afati i fundit për tërheqjen e kandidatëve nga gara ishte më 2 shtator, 2025. Spasiq u tërhoq në fillim të nëntorit.

Më shumë rreth balotazhit në Kllokot mund të lexoni në artikullin më poshtë:

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG