Kandidati për Prishtinën, Çeku hedh votën e tij
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje, ka votuar këtë mëngjesin në balotazhin për kryetar të kryeqytetit.
Çeku, i cili përballet me Përparim Ramën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, u bëri thirrje banorëve të kryeqytetit të dalin dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre për votë.
Votimi në Prishtinë
Kurti: Është ditë e mirë për demokracinë dhe vullnetin e lirë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka votuar këtë mëngjes në një qendër votimi në Prishtinë, duke i cilësuar votimet në balotazh si “ditë e mirë për demokracinë dhe vullnetin e lirë”.
Ai tha se u bën thirrje “gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të shfrytëzojnë rastin dhe të bëhen pjesëmarrës e vendimmarrës për kryetarët e komunave dhe kësisoj për katërvjeçarin në vijim për ata si banorë të komunave të Republikës”.
Rreth 80 prokurorë angazhohen për mbarëvajtjen e votimeve
Zyra e kryeprokurorit të shtetit njoftoi se i ka angazhuar rreth 80 prokurorë të shtetit dhe staf mbështetës të sistemit prokurorial për mbarëvajtjen e procesit në votimit në 18 komunat ku sot po zhvillohet balotazhi i zgjedhjeve lokale.
Ata po qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme lokale, tha zyra e kryeprokurorit në një njoftim për media.
“Prokurorët janë duke qëndruar në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve”, thuhet në njoftim.