Ndërlidhjet

Puna për garancitë e sigurisë për Ukrainën veçse ka nisur, thotë Yermak


Andriy Yermak, shefi i stafit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Fotografi nga arkivi.
Andriy Yermak, shefi i stafit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Fotografi nga arkivi.

Një zyrtar i lartë ukrainas tha se po merr formë komponenti ushtarak i garancive të sigurisë për Ukrainën, ndërsa Shtetet e Bashkuara përsëritën se vendet evropiane do të duhet të mbajnë pjesën më të madhe të barrës për ofrimin e këtyre garancive.

“Ka filluar puna për krijimin e komponentit ushtarak të garancive, të cilat po diskutohen si pjesë e një marrëveshjeje për zgjidhjen e luftës me Rusinë”, tha Andriy Yermak, shefi i stafit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në X.

“Ekipet tona, mbi të gjitha ushtria, kanë nisur punën aktive për komponentin ushtarak të garancive të sigurisë”, tha Yermak më 20 gusht, pas takimit të këshilltarëve të sigurisë kombëtare nga shtetet perëndimore dhe të NATO-s.

Yermak tha se Ukraina është gati për çdo format të dialogut “për përfundimin e drejtë të luftës”, por paralajmëroi kundër përsëritjes së “gabimit të Budapestit”, duke iu referuar Memorandumit të Budapestit të vitit 1994, i cili kishte për qëllim ofrimin e sigurisë në këmbim të heqjes dorë nga armët bërthamore që Ukraina kishte trashëguar nga epoka sovjetike.

Rusia e shkeli këtë memorandum kur e aneksoi Gadishullin e Krimesë më 2014 dhe kur nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022.

Yermak po ashtu tha e Ukraina po punon në një plan me aleatët e saj për mënyrën se si të veprohet “në rast se pala ruse vazhdon të prolongojë luftën dhe të pengojë marrëveshjet në formatet dypalëshe dhe trepalëshe të takimeve të udhëheqësve”.

Më vonë gjatë 20 gushtit, nënpresidenti amerikan, JD Vance, tha se Evropa duhet të përgatitet që të marrë rolin udhëheqës për ofrimin e garancive të sigurisë.

“Nuk mendoj se ne duhet të bartim barrën në këtë çështje. Mendoj se ne duhet të ndihmojmë nëse është e nevojshme për të ndalur luftën dhe për të ndalur vrasjet. Por, unë mendoj se duhet të presim, dhe presidenti padyshim pret, që Evropa të luajë rol kryesor në këtë çështje”, tha Vance për Fox News.

“Pa marrë parasysh se çfarë forme do të marrë kjo, evropianë duhet të marrin pjesën më të madhe të barrës”, tha ai.

Teksa SHBA-ja dhe Evropa i ofrojnë garanci sigurie, Zelensky "përfiton politikisht" Teksa SHBA-ja dhe Evropa i ofrojnë garanci sigurie, Zelensky "përfiton politikisht"
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:35 0:00

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha më herët gjatë javës për Fox News se, sa i përket sigurisë, shtetet evropiane “janë të gatshme të dërgojnë njerëz në terren. Ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë me gjëra, veçanërisht, ndoshta... nga ajri”.

Trump nuk ofroi detaje se çfarë fuqie ajrore amerikane do të ofrohej, por tha se ajo mund të mbështeste dislokimin e trupave evropiane, që Franca dhe Britania po mendojnë të ofrojnë nën të ashtuquajturit koalicion të vullnetit.

“Do t’u ofrojmë atyre mbrojtje shumë të mirë”, tha presidenti amerikan.

Garancitë e sigurisë ishin tema kryesore e diskutimeve të 18 gushtit kur Trump mirëpriti Zelenskyn dhe disa udhëheqës të shteteve evropiane në Shtëpinë e Bardhë. Ky takim u mbajt pas samitit që javën e kaluar Trump zhvilloi në Alaskë me presidentin rus, Vladimir Putin.

Pavarësisht përpjekjeve të Trumpit që të sjellë të dyja palët në tavolinën e negociatave, Putini nuk ka shfaqur shenja për tërheqje nga kërkesat e tij për territor, përfshirë edhe territor që ushtria e Rusisë nuk e kontrollon.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG