Ndërlidhjet

Shefat e NATO-s zhvillojnë “bisedë të hapur” rreth garancive të sigurisë për Ukrainën


Logo të NATO-s në hyrje të selisë së re të NATO-s në Bruksel, Belgjik.
Logo të NATO-s në hyrje të selisë së re të NATO-s në Bruksel, Belgjik.

Shefat e mbrojtjes së NATO-s e zhvilluan të mërkurën një “diskutim të hapur” mbi garancitë e mundshme të sigurisë që mund t’ia japin Kievit për ta ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje për paqe, e cila do t’i jepte fund luftës mbi trivjeçare të Rusisë kundër Ukrainës, tha një zyrtar i lartë i aleancës ushtarake.

Admirali italian, Giuseppe Cavo Dragone, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, theksoi se 32 shefa të mbrojtjes nga e gjithë aleanca zhvilluan një konferencë me video, si pjesë e përpjekjeve diplomatike të udhëhequr nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftimeve.

Ai tha u zhvillua një “diskutim i madh dhe i hapur” mes tyre.

“Falënderova të gjithë për pjesëmarrjen gjithmonë proaktive në këto takime: ne jemi të bashkuar, dhe ky unitet ishte vërtet i qartë sot, si gjithmonë”, shkroi ai në rrjetin social X, duke mos dhënë më shumë hollësi.

Garantimi se Ukraina nuk do të pushtohet përsëri në të ardhmen është një nga çelësat për ta bindur atë ta nënshkruajë një marrëveshje për paqe me Rusinë.

Ukraina kërkon ndihmë perëndimore për ushtrinë e saj, përfshirë armë dhe trajnim, për të forcuar mbrojtjen, ndërsa zyrtarët perëndimorë po përpiqen të përcaktojnë çfarë zotimesh mund të ofrojnë.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, i kritikoi përpjekjet për të punuar për garancitë e sigurisë për Ukrainën pa përfshirjen e Moskës.

“Ne nuk mund të pajtohemi me faktin që tani propozohet të zgjidhen çështjet e sigurisë kolektive pa Federatën Ruse. Kjo nuk do të funksionojë”, tha Lavrov të mërkurën, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve RIA Novosti.

Gjenerali amerikan, Alexus Grynkeëich, komandant suprem i NATO-s në Evropë, mori pjesë në bisedimet virtuale, tha Dragone.

Gjithashtu, gjenerali amerikan Dan Caine, kryetar i Shefave të Shtabit të Përgjithshëm, pritej të merrte pjesë, sipas një zyrtari të mbrojtjes së SHBA-së.

Caine u takua gjithashtu me shefa ushtarakë evropianë të martën në mbrëmje në Uashington për të vlerësuar opsionet më të mira ushtarake për liderët politikë, sipas zyrtarit të mbrojtjes, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht dhe foli me kushtin e anonimatit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u takua të premten e kaluar me presidentin rus, Vladimir Putin, në Alaskë, dhe të hënën e priti në Shtëpinë e Bardhë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe liderë të tjerë evropianë. Asnjë nga takimet nuk solli përparim konkret.

Trump po përpiqet t’i pajtojë Putinin dhe Zelenskyn për një marrëveshje për paqe, më shumë se tri vjet pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të fqinjit të vet, por ka pengesa të mëdha.

Ato përfshijnë kërkesat e Ukrainës për garanci të mbështetura nga Perëndimi për mbrojtjen ushtarake, për t’u siguruar që Rusia të mos nisë ndonjë pushtim tjetër në vitet e ardhshme.

“Ne kemi nevojë për garanci të forta sigurie për të siguruar një paqe vërtet të qëndrueshme dhe afatgjatë”, shkroi Zelensky në Telegram të mërkurën pas sulmeve ruse me raketa dhe dronë që goditën gjashtë rajone të Ukrainës gjatë natës.

Aleatët evropianë të Kievit po shikojnë mundësinë e krijimit të një force që mund të mbështesë çdo marrëveshje për paqe, dhe një koalicion prej 30 shtetesh, përfshirë vende evropiane, Japoninë dhe Australinë, është angazhuar ta mbështesë këtë nismë.

Shefat ushtarakë po shqyrtojnë se si mund të funksionojë ajo forcë e sigurisë.

Roli që mund të luajë SHBA-ja mbetet i paqartë. Trump e përjashtoi të martën mundësinë e dërgimit të trupave amerikane për të ndihmuar në mbrojtjen e Ukrainës kundër Rusisë.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG