Limaj thotë se Nisma s’do ta votojë Haxhiun
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se partia e tij nuk ka ndryshuar qëndrim nga herat e kaluara dhe se as në seancën e sotshme konsituive nuk do ta përkrahë propozimin që Albulena Haxhiu të bëhet kryeparlamentarja e re e Kuvendit të Kosovës.
“Qëndrimi dhe votimi është ashtu siç ka qenë edhe herën e kaluar”, tha Limaj.
Zemaj: LDK-ja s'e voton Haxhiun
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, e ka përsëritur se partia e tij nuk do ta votojë kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
“Sigurisht që do të votojmë kundër. Lëvizja Vetëvendosje e ka sjellë vendin në këtë situatë duke u sjellë sikur një parti e cila e ka fituar e vetme vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, tha ai.
I pyetur nëse LDK-ja ka vullnet për kandidat konsensual, ai tha se “nuk mund të ketë kandidat konsensual derisa arroganca dhe mënyra sesi bën politikë [Vetëvendosje] ose si tenton kapjen e institucioneve... konsensuesi për ndonjë emër të përveç është i pamundur”.
Haradinaj: S’ka ndryshime as në kandidaturë, as në qëndrime të opozitës
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk pret që sot të zgjidhjet kryeparlamentari/ja e re në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
“Me sa kam informata s’ka ndryshime as në kandidaturë as në qëndrime të opozitës”, tha Haradinaj.
Ai përsëriti qëndrimin se AAK-ja do të votonte për këtë post dy deputete të tjera të LVV-së, Shqipe Selimin dhe Saranda Bogujevcin, por jo Albulena Haxhiun.
Rexhaj: Takimet po vazhdojnë me deputetët e pakicave
Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvevendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë se LVV-ja po vazhdon takimet me përfaqësuesit e pakicave joserbe në Kuvendin e Kosovës.
Ai tha se takime janë zhvilluar me dy deputetët e këtyre pakicave që nuk e kishin votuar Albulena Haxhiun për kryeparlamentare herat e kaluara, Duda Balen dhe Veton Berishën.
“Unë besoj që dialogu dhe marrëveshja do të arrihet me subjektet që përfaqësojnë interesin e qytetarëve”, tha Rexhaj.
Ai tha se Berisha ka pranuar ta votojë propozimin për kryeparlamentar, por se s’ka marrëveshje për qeveri.