Nagavci: U bëjmë thirrje partive ta mundësojnë konstituimin e Kuvendit
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, u ka bërë thirrje partive parlamentare ta votojnë kandidaten e partisë së saj për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Ajo tha se Vetëvendosje nuk e ka “asnjë dyshim” se Haxhiu është kandidatja e duhur.
“Secila parti ka të drejtë të zgjedhë kandidatët qoftë për kryeparlamentar, qoftë për nënkryetar. Jemi vonë me konstituimin e Kuvendit dhe u bëjmë thirrje të gjitha partive që kanë marrë besimin e qytetarëve ta mundësojnë konstituimin e Kuvendit”, tha Nagavci.
Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ende nuk ka arritur të konstituohet.
Pse po kundërshtohet Haxhiu?
Emri i Albulena Haxhiut u hodh në votim tri herë, por në asnjërin rast ajo nuk arrit t’i marrë 61 votat e nevojshme për t’u bërë kryeparlamentare e Kosovës.
Haxhiu konsiderohet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si figurë përçarëse, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) refuzon të votojë çdo emër të propozuar nga fituesja e zgjedhjeve parlamentare, LVV-ja.
Besar Gërgi nga Grupi për Studime Ligjore dhe Politike (GSLP) i sheh të dyja këto si motive të mundshme.
“Nga njëra anë, ato [partitë politike] duket se kanë një lloj rehatie me situatën, dhe nuk iu bëhet vonë për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Por, nga ana tjetër, shihet se kanë edhe një mospëlqim për emrin e caktuar, të zonjës Haxhiu”, thotë Gërgi për Radion Evropa e Lirë.
Më shumë rreth kësaj teme mund të lexoni në tekstin më poshtë:
Vetëvendosje nuk heq dorë nga kandidatura e Haxhiut
Lëvizja Vetëvendosje nuk ka hequr dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar për kryetare të Kuvendit të Kosovës.
“Nuk ka ndërruar emri”, tha në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, kryesuesi i seancës konstituive Avni Dehari, një natë para vazhdimit të seancës.
Dehari po ashtu tha mbrëmjen e së enjtes se nuk ka thirrur asnjë takim konsultativ me partitë politike para vazhdimit të seancës konstituive.
“Jo, e kemi kryer takimin konsultativ, tash do të vazhdojmë me mbledhjen, siç është në plan”, tha Dehari.