Haradinaj: Zgjedhjet të mbahen sa më shpejt
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se vendi nuk ka kohë për të humbur dhe duhet që sa më shpejt të mbahen zgjedhjet e reja.
Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Haradinaj tha se ajo ka afat që deri më 5 nëntor të vendosë nëse do të mandatojë dikë tjetër për të formuar ekzekutivin e ri apo do të shpallë zgjedhjet e reja.
Haradinaj tha se presidentja ka mundur që edhe sot të shpallë datën e zgjedhjeve të reja, por kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi disa ditë kohë për të tentuar që të bëjë sërish shumicën.
“Do të ishte në interes të Kosovës që data e zgjedhjeve të caktohet ma shpejt, brenda 30 ditësh”, tha ai, duke shtuar se data më e afërt është 7 dhjetori.
“Qëndrimi i AAK-së që ne nuk duam të humbin kohë, në afatin e parë kushtetues të veprohet dhe të mbahen zgjedhjet”, theksoi Haradinaj.
Ai tha se nëse zgjedhjet nuk mbahen më 7 dhjetor, atëherë data e dytë më e shpejt është 14 dhjetori, duke argumentuar se vendit i duhet një qeveri e re sa më shpejt në mënyrë që të mund të miratojë buxhetin për vitin e ardhshëm.
Memli Krasniqi: Zgjedhjet e reja janë të imponuara
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë para mediave se në takim është bërë e qartë se askush nuk mund ta sigurojë shumicën për të formuar qeverinë.
Sipas tij, zgjedhjet e reja tashmë janë të imponuara.
“Një situatë të tillë ka muaj që e kemi paralajmëruar. Në këtë moment, rruga përpara është vetëm shpallja e zgjedhjeve të reja”.
Ai ka thënë se pavarësisht pse ka bërë përpjekje që ta sigurojë shumicën me partitë që në legjislaturën e kaluar ishte në opozitë, diçka e tillë nuk është arritur.
Kurti nuk deklarohet për mediat
Kreu i LVV-së, Albin Kurti, nuk është deklaruar për mediat pas takimit që zyrtarët politikë zhvilluan me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
Pas takimit, ai u tha gazetarëve se "më duhet të shkoj me shpejtësi".
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi se në takim Kurti, si fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit, ka kërkuar disa ditë kohë për të parë mundësitë nëse mund të formojë një shumicë.
Kurti dështoi më 26 tetor të merrte besimin e Kuvendit për ekzekutivin e ri.
Osmani: Kurti ka kërkuar që të takohemi sërish, detyrimi im është të evitoj zgjedhjet
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në takimin konsultues, partitë i shprehën qëndrimet e tyre lidhur me mundësinë e daljes nga kriza, por tha se ajo ka kohë deri më 5 nëntor për të vendosur nëse do t'i shpallë zgjedhjet e reja apo do ta mandatojë dikë për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Kreu i LVV-së, Albin Kurti, sipas Osmanit, i ka kërkuar që të takohen sërish para 5 nëntorit.
“Kurti ka kërkuar që të më takoj edhe njëherë para se të skadojë afati 10-ditor. Do të vijnë me propozim apo jo është çështje e tyre”, tha ajo.
Osmani tha se partitë mund të duan të mbahen zgjedhje të reja, por aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese e obligojnë atë që të shmangë mbajtjen e zgjedhjeve.
“Aktgjykimet e Kushtetueses thonë që presidentja duhet të bëjë çmos t'i evitojë zgjedhjet. Partitë politike i kanë qëndrimet e tyre, detyrimi i presidentes është tjetër. Atë detyrim unë duhet ta kryej”, tha ajo, duke shtuar se duhet të dëshmojë se ka bërë çmos për t'i shmangur zgjedhjet e reja.