Ndërlidhjet

Pamje nga takimi i 31 tetorit.
Pamje nga takimi i 31 tetorit.

Osmani synon shmangien e zgjedhjeve, pavarësisht kërkesës së disa partive

• Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i takoi të premten liderët partiakë gati një javë pasi Kuvendi s’e votoi Qeverinë Kurti III.

• Pas përfundimit të takimit, krerët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kërkuan mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Lideri i LVV-së, Albin Kurti, u largua pa folur për media.

• Takimi është mbajtur pasi Kosova gjendet në bllokadë institucionale, meqë asnjëra parti nuk e ka fituar shumicën në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit për të qeverisur e vetme dhe ka mungesë vullneti mes partive për bashkëqeverisje.

• Osmani mund ta mandatojë dikë tjetër për të tentuar ta bëjë qeverinë e re, ose të shpallë zgjedhje të reja.

15:50 31.10.2025

Lexues të nderuar,

Këtu po e përmbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të takimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe udhëheqësve të partive politike, si pjesë e konsultimeve për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës ose shkuarjes në zgjedhje të reja.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja u shprehën se janë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por kreu i LVV-së, Albin Kurti, nuk u deklarua pas takimit.

Osmani tha se ka afat kushtetues deri më 5 nëntor që të vendosë nëse do të shpallë zgjedhje të reja apo të mandatojë dikë për të formuar ekzekutivin e ri. Ajo tha se Kurti i ka kërkuar që të takohen para 5 nëntorit.

E para e vendit la të kuptohet se në bazë të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese edhe nëse LVV-ja kërkon të mandatohet sërish për të formuar ekzekutivin, mandatar nuk mund të jetë Kurti pasi asaj i kërkohet që të mandatojë një person “tjetër”.

Sipas presidentes, Kushtetuta e obligon atë që “të bëjë çmos” për të shmangur zgjedhjet. Ajo tha se në takim ka folur edhe për çështjen e buxhetit të vendit, duke theksuar se ajo mund t’i drejtohet Kuvendit me kërkesën për zgjatje buxhetore, e jo për të kërkuar që deputetët të miratojnë një buxhet të ri.

Sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve të reja, pas takimit kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmendi dy datat më të hershme: 7 dhjetorin dhe 14 dhjetorin, duke kërkuar që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt.

PDK-ja, po ashtu, kërkoi mbajtjen e shpejtë të zgjedhjeve, ndërkaq LDK-ja tha se asnjëra nga partitë nuk e ka shumicën.

Faleminderit që na ndoqët!

15:08 31.10.2025

Osmani sqaron nëse Kurti mund të mandatohet sërish

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u pyet lidhur me mandatarin e dytë, përkatësisht nëse ajo mund të mandatojë dy herë një person, në këtë rast kreun e LVV-së, Albin Kurti.

Ajo tha se në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese të viteve 2014, 2020 dhe 2021 thuhet qartë që herën e dytë presidentja “duhet ta caktojë mandatarin tjetër”.

“Këto aktgjykime, me vetë faktin që përmendin mandatarin tjetër, interpretimi ynë është që nënkupton mandatar tjetër. A më duket e logjikshme një gjë e tillë, nuk më duket aspak për një arsye shumë të thjeshtë: një mandatar ndoshta sot nuk i ka votat por mund t’i krijojë pas dy muajsh, pas dy javësh”, tha Osmani.

Osmani tha se mund të ndryshojnë rrethanat politike dhe një udhëheqës politik mund të krijojë shumicën, por në aktgjykimet e Kushtetueses në disa vende është përmendur “mandatar tjetër”, dhe sipas saj presidenca i respekton çdo aktgjykim.

14:49 31.10.2025

Osmani flet për buxhetin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gjatë takimit me udhëheqësit politikë e ka shtruar çështjen e procedimit përpara të buxhetit dhe Planit të Rritjes të BE-së, i cili duhet të ratifikohet në Kuvend, në mënyrë që vendi të mund t'i përfitojë 800 milionë eurot e ndara nga Brukseli.

Sa i përket buxhetit, Osmani tha se në bazë të nenit 79 të Kushtetutës, ajo mund ta dërgojë në Kuvend propozimin për zgjatje buxhetore e jo për një buxhet të ri, në mënyrë që me një zgjatje të tillë, vendi të mund të ketë para deri më 31 mars 2026.

Ajo tha se në takim u shprehën shqetësime lidhur me procedurat për propozimin e një buxheti të ri nga Qeveria, duke thënë se zgjidhja mund të jetë që ajo të dërgojë në Kuvend propozimin për zgjatjen buxhetore për të parandaluar një krizë financiare.

"Kishte shqetësime rreth procedurave, është neni 79 i Kushtetutës, atë detyrim ta marrë unë dhe si presidente t’i procedojë zgjatjet buxhetore, meqë nuk i kam të drejtat e kufizuara”, tha Osmani.

“Shpresa ishte që mund të ketë reflektim” dhe të procedohet buxheti, por edhe ratifikimi i Planit të Rritjes, shtoi e para e vendit.

14:44 31.10.2025

Osmani: Kurti ka kërkuar që të takohemi sërish, detyrimi im është të evitoj zgjedhjet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në takimin konsultues, partitë i shprehën qëndrimet e tyre lidhur me mundësinë e daljes nga kriza, por tha se ajo ka kohë deri më 5 nëntor për të vendosur nëse do t'i shpallë zgjedhjet e reja apo do ta mandatojë dikë për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Kreu i LVV-së, Albin Kurti, sipas Osmanit, i ka kërkuar që të takohen sërish para 5 nëntorit.

“Kurti ka kërkuar që të më takoj edhe njëherë para se të skadojë afati 10-ditor. Do të vijnë me propozim apo jo është çështje e tyre”, tha ajo.

Osmani tha se partitë mund të duan të mbahen zgjedhje të reja, por aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese e obligojnë atë që të shmangë mbajtjen e zgjedhjeve.

“Aktgjykimet e Kushtetueses thonë që presidentja duhet të bëjë çmos t'i evitojë zgjedhjet. Partitë politike i kanë qëndrimet e tyre, detyrimi i presidentes është tjetër. Atë detyrim unë duhet ta kryej”, tha ajo, duke shtuar se duhet të dëshmojë se ka bërë çmos për t'i shmangur zgjedhjet e reja.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG