Gazeta ruse Novaya, është e njohur për raportet e saj hulumtuese për korrupsionin dhe abuzimet e të drejtave të njeriut. Në një shtet të renditur si një nga vendet më të rrezikshme në botë për gazetarët, raportimi i saj ka marrë shumë vlerësime ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë edhe i ka vënë gazetarët e saj në një rrezik të madh.
Gjashtë gazetarë dhe kontribues të tjerë, janë vrarë që nga viti 2000. Shumë të tjerë janë sulmuar.
Dmitry Muratov, i cili ndihmoi në themelimin e gazetës më 1993 dhe ka shërbyer prej kohësh si kryeredaktor i saj, mori Çmimi Nobel për Paqe më 8 tetor 2021, së bashku me gazetaren filipino-amerikane Maria Ressa.
Pavarësisht kërcënimeve dhe vrasjeve, Komiteti Norvegjez i Nobelit tha se Muratov "ka refuzuar të braktisë politikën e pavarur të gazetës" dhe "ka mbrojtur vazhdimisht të drejtën e gazetarëve për të shkruar gjithçka që duan, për çfarëdo që ata duan, për sa kohë që ato shkrime janë në përputhje me standardet profesionale dhe etike të gazetarisë ".
Puna e rrezikshme për gazetën ruse Novaya

Gazetarja e shumë çmimeve dhe aktivistja e të drejtave të njeriut, Natalia Estemirova, një kontribuuese e shpeshtë me shkrimet e saj në gazetën Novaya, u rrëmbye në Grozni në korrik të vitit 2009 dhe u gjet e vrarë disa orë më vonë. Në atë kohë, u tha se ajo se ishte duke punuar në disa raste "jashtëzakonisht të ndjeshme" të shkeljeve të të drejtave të njeriut në Çeçeni.

Shtëpia dhe makina e korrespondentes Yulia Latynina, u spërkatën me kimikate të panjohura në vitin 2017. Po atë vit, gazeta mori një letër me një pluhur të bardhë të panjohur, mirëpo që më vonë doli se ishte i padëmshëm.

Në Tetor 2018, persona të panjohur sollën tre kafazë me dele të mbuluara me jelekë, me mbishkrimin PRESS, pranë zyrave të gazetës Novaya në Moskë.

Koka e një deleje u gjet gjithashtu pranë zyrës, me një shënim që kërcënonte të gjithë gazetarët e gazetës Novaya.