Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar nënkryetarin e kësaj partie, Glauk Konjufca për mandatar për kryeministër të Kosovës. LVV-ja tha se pret "reflektimin" e partive të tjera shqiptare sa i përket formimit të Qeverisë së re të Kosovës, por ato insistuan në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.
"Unë marr vendin e Glaukut, e ai timin, siç jemi dakorduar bashkë mbrëmë", tha kreu i LVV-së, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
Ai iu referua postit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm dhe Diasporës, ku Konjufca ishte caktuar në ekzekutivin e propozuar nga Kurti më 26 tetor - por që nuk mori mbështetjen e 61 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Kurti tha, po ashtu, se në këtë mënyrë mund të shmangen dy palë zgjedhje dhe Kuvendi të miratojë buxhetin për vitin 2026.
Sipas tij, nëse vendi shkon në zgjedhje në dhjetor pa buxhet, do të rrezikohej shteti.
"Caktimi i mandatarit të dytë në këto rrethana është domosdoshmëri. Le ta votojë opozita një qeveri të udhëhequr nga Glauku", në mënyrë që të procedohet buxheti i shtetit nga një qeveri fuqiplotë, tha Kurti.
Kush është Glauk Konjufca?
Glauk Konjufca është një nga figurat kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje, pjesë e saj që nga themelimi, rreth dy dekada më parë.
Në vitin 2010 u zgjodh për herë të parë deputet dhe më pas shërbeu si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës (2011-2014).
Në legjislaturat pasuese, ai udhëhoqi Grupin Parlamentar të Vetëvendosjes dhe ishte anëtar i komisioneve për Zhvillim Ekonomik dhe për Punë të Jashtme.
Pas zgjedhjeve të vitit 2019, Konjufca u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës, ndërsa më vonë shërbeu edhe si ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë Kurti, deri në qershor 2020.
Nga viti 2021 deri këtë vit shërbeu sërish si kryetar i Kuvendit.
Ndërkaq, nga 22 marsi 2021 deri më 4 prill 2021 ishte edhe ushtrues i detyrës së presidentit të Kosovës.
Konjufca: Opozita tani duhet ta bëjë kompromisin e vet
Në fjalën në Këshillin e Përgjithshëm, Konjufca tha se mosmandatimi i Kurtit për kryeministër është “kompromisi i madh” i LVV-së.
“Më shumë se kaq nuk ka mundësi, sepse po e prezantojmë një Qeveri ku kryeministër nuk është Kurti dhe ky është kompromis i madh. Tash e ka radhën opozita për kompromisin e vet”, tha Konjufca.
Ai argumentoi se partitë e tjera shqiptare u bënë bashkë që t’ia pamundësojnë Kurtit formimin e ekzekutivit të tretë.
“Populli shumë shpejt pret të rikthehesh më fuqishëm se në vitin 2021”, iu drejtua Konjufca Kurtit, duke iu referuar zgjedhjeve kur LVV-ja mori mbi 50 për qind të votave.
Sipas Konjufcës, interesi aktual publik, sipas partisë së tij, është ndarë në dy shtylla.
“Së pari, shmangia e dy palë zgjedhjeve të mundshme brenda tre muajsh. Dhe së dyti, votimi i buxhetit 2026, pa të cilin rrezikohen dimensionet vitale të shtetit, pagat e sektorit publik, pensionet, shtesat e projektet esenciale të shtetit tonë”, tha ai.
Çështje të tjera që janë me urgjencë për miratim tha se janë Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, buxheti për transmetuesin publik të Kosovës dhe buxhetet për tri komuna: Prishtina, Gjilani, Zubin Potoku.
"Partitë e tjera e kanë në dorë nëse duan të bëjmë zgjedhje tani. Por, mua më duket se shpata e gjykimit është më e mprehtë se më parë", tha Konjufca.
Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, Konjufca u pyet nga gazetarët nëse ka indikacione se do të marrë mbështetje edhe nga partitë e tjera shqiptare të përfaqësuara në Kuvend. Ai tha se këtë gjë e pret LVV-ja dhe “shumica e qytetarëve”.
“Besoj që forcat opozitare do të reflektojnë dhe do të kemi një bashkëpunim pozitiv që këto dy gjëra të ndodhin: shmangia e zgjedhjeve në dhjetor dhe e dyta, votimi i buxhetit të Kosovës”, u shpreh ai.
Ai tha se kërkon bashkëpunimin e të gjithëve që të shmangen zgjedhjet parlamentare në dhjetor dhe që vendi të ketë qeveri "së paku" deri në prill, kur duhet të zgjidhet presidenti i ri i vendit.
Emri i Konjufcës do t'i dërgohet presidentes Osmani për mandatim nga kreu i LVV-së, Albin Kurti. Mediat lokale në Kosovë kanë raportuar se gjatë ditës Osmani ka zhvilluar takime edhe me udhëheqësit e partive të tjera të mëdha shqiptare.
Osmani ka afat deri nesër që të vendosë nëse do ta mandatojë Konjufcën apo dikë tjetër apo do të shpallë zgjedhjet e reja.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Presidencës së Kosovës lidhur me hapat e ardhshëm që do të ndërmarrë Osmani dhe është në pritje të përgjigjes.
Në rast se presidentja e mandaton Konjufcën, sipas Kushtetutës, ai do të ketë kohë 15 ditë që të paraqesë para Kuvendit përbërjen e re të Qeverisë, e cila duhet të marrë të paktën 61 vota për.
Në 3 minuta
Çdo të enjte, zhvillimet më të rëndësishme përpiqemi t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip. Regjistrohuni falas këtu për ta pranuar të parët në emailin tuaj çdo numër të newsletter-it tonë.
Reagimet e partive për propozimin e Konjufcës për mandatar
Partia Demokratike e Kosovës tha se është e qartë se nuk ka shumicë shqiptare në Kuvend, duke e cilësuar si "humbje kohe" dhe "zvarritje të panevojshme" mandatimin e një kandidati të ri nga LVV-ja për postin e kryeministrit.
"Ashtu siç dështoi Albin Kurti për të siguruar shumicën, do të dështojë çdo përpjekje tjetër për ta zgjatur artificialisht këtë proces nga Lëvizja Vetëvendosje. Realiteti politik është i qartë: askush nuk e ka shumicën për të formuar qeverinë nga kjo legjislaturë", tha PDK-ja përmes një kumtese për media.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e cilësoi si "shfaqje teatrale" mbledhjen e LVV-së, që i cilësoi si "mandatar pa numra, pa shumicë e pa legjitimitet demokratik".
"Dua të besoj se presidentja e Republikës, do të respektojë vullnetin e shumicës shqiptare, para mbledhjeve propaganduese të partive me mandatarë plot por pa shumicë paralamentare", shkroi ai në Facebook.
Ndërkaq, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se presidentja nuk ka mandat që ta mandatojë askënd për formimin e qeverisë “pa dëshminë se kandidati i nominuar e ka shumicën e nevojshme”.
“Shumica e nevojshme dëshmohet vetëm me nënshkrime të deponuara të deputetëve. Në çdo situatë tjetër presidentja bën shkelje të rëndë kushtetuese. Kandidatura e dytë nga LVV për qeveri është veç përpjekje për të vazhduar kapjen e institucioneve të shtetit, në kundërshtim me krejt normat kushtetuese e politike”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Nisma Socialdemokrate tha se Kuvendi nuk ka shumicë, duke e akuzuar LVV-në se po bën përpjekje “të vazhdueshme për zgjatjen e pushtetit pa shumicë parlamentare dhe pa legjitimitet politik”.
Kjo parti i kërkoi presidentes Osmani që të respektojë vullnetin e partive dhe të mos bëhet “pjesë e zvarritjeve politike apo interpretimeve arbitrare që rrezikojnë parimet kushtetuese dhe krijojnë tensione të panevojshme”.
“Roli i presidentes është të garantojë unitetin kushtetues dhe të sigurojë funksionimin demokratik të shtetit, jo ta shtyjë vendin drejt bllokadës”, u tha në njoftimin e kësaj partie.
Duke folur në emrin e grupit multietnik – që përbëhet nga përfaqësuesit e komuniteteve joserbe – Elbert Krasniqi ofroi mbështetjen për një ekzekutiv të udhëhequr nga Konjufca me qëllim, siç tha ai, “zhbllokimin dhe krijimin e institucioneve”.
“Kosovës i duhet sa më parë formimi i Qeverisë dhe kësisoj marrja e shumë vendimeve të rëndësishme siç është buxheti i vendit, i RTK-së dhe komunave përkatëse”, shkroi ai në Facebook.
Çerkini: Osmani ka të drejtë të mandatojë Konjufcën
Zahir Çerkini, profesor i të Drejtës Kushtetuese në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, i tha Radios Evropa e Lirë se pas propozimit të Konjufcës për mandatar për qeverinë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka të drejtë që ta mandatojë atë.
Ky mandatim, sipas tij, mund të bëhet edhe nëse Konjufca nuk e dëshmon se ka siguruar votat e domosdoshme të Kuvendit për ekzekutivin e ri.
“Në rrethanat kur të gjithë liderët e partive politike kanë deklaruar se nuk synojnë ta marrin mandatin për formimin e Qeverisë, presidentja [Osmani] ka të drejtë ta mandatojë zotin Konjufca edhe pa paraqitjen e 61 nënshkrimeve. Kërkesa për nënshkrime vlen vetëm në situatat kur ekziston më shumë se një subjekt politik që pretendon mandatin, dhe në atë rast presidentja duhet të përcaktohet për atë që demonstron mbështetjen e shumicës parlamentare”, tha Çerkini.
“Prandaj, në këtë situatë politike, vendimi për ta mandatuar zotin Konjufca është plotësisht i arsyeshëm dhe në përputhje me frymën e Kushtetutës”, shtoi ai.
Muhaxhiri: Propozimi i Konjufcës, lojë politike bizare e Kurtit
Sociologu dhe njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Artan Muhaxhiri, vlerëson se propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje që Glauk Konjufca të jetë mandatar i ri për kryeministër të Kosovës, është “një akt tjetër i parodisë së (Albin) Kurtit dhe partisë së tij”, në procesin e krijimit të institucioneve.
Duke iu referuar deklaratave të udhëheqësve të Lëvizjes Vetëvendosje , Muhaxhiri i tha Radios Evropa e Lirë se ky propozim nuk ka bazë në realitetin politik.
“Nëse vërtet e konsiderojnë këtë si kompromis, atëherë ky vendim është dashur të merret shumë më herët dhe jo pasi u dëshmua që Lëvizja Vetëvendosje nuk është as afër që t’i sigurojë 61 votat (e domosdoshme për votimin e Qeverisë) në Kuvend”, theksoi Muhaxhiri.
Ai e cilësoi propozimin e Vetëvendosjes si “krejtësisht absurd”, përderisa nuk e ka dhënë ndonjë ofertë ndaj partive ish-opozitare – Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës - në mënyrë që të sigurojë shumicën e nevojshme të votave për Qeverinë e re.
Pa kompromise, sipas tij, “riformatimi i kërkesës së Vetëvendosjes, i propozimit të mandatarit të ri për kryeministër, nuk ka asnjë gjasë të ketë sukses dhe është vetëm humbje kohe”.
Muhaxhiri e sheh propozimin e emrit të Konjufcës, më shumë si “lojë bizare politike” për qëllime elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje, me synimin për t’i nxjerrë keq partitë ish-opozitare.
“Është vetëm një etapë tjetër e popullizmit të skajshëm, sepse Kurti tenton t’i prekë emocionalisht qytetarët e Kosovës dhe të krijojë bindjen se ai po bën kompromis. Por, ky nuk është kompromis. Nuk ka logjikë që i gjithë pushteti qeveritar t’i falet (nga ish-opozita) Lëvizjes Vetëvendosje, nëse ajo nuk arrin që në mënyrë politike, me aleanca ta krijojë shumicën e thjeshtë prej 61 votave të deputetëve”, thekson Muhaxhiri.
Ai shtoi se nuk pret ndonjë përgjigje pozitive nga partitë ish- opozitare lidhur me propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
IKD: Presidentja duhet të bindet se kandidati për kryeministër i ka 61 vota
Sa i përket mandatimit të kandidatit të ri për kryeministër, Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se presidentja nuk ka “diskrecion të pakufizuar” në këtë drejtim.
“Bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese K0103/14, presidentja duhet të vlerësojë se cila është gjasa më e madhe që një parti politike ose koalicion të propozojë kandidatin për kryeministër, i cili do të marrë votat e nevojshme në Kuvend për formimin e Qeverisë së re. Thënë më ndryshe, presidentja duhet të bindet se mandatari që cakton do të ketë votat e nevojshme në Kuvend për formimin e Qeverisë”, shkroi ai në Facebook.
Sipas tij, “bindja” mund të nënkuptojë se është arritur ndonjë koalicion, se kandidati i një partie ka siguruar vota edhe nga parti të tjera, duke deponuar dëshmi për këtë apo përmes dërgimit të një liste me 61 nënshkrime.
“Nëse në asnjë rrethanë presidentja nuk bindet se asnjë kandidat nuk ka numrin e mjaftueshëm të votave në Kuvend për formimin e Qeverisë, ajo duhet të shpallë zgjedhjet brenda 40 ditëve”, tha ai.
Sipas Shalës, nëse presidentja Osmani tejkalon këto hapa dhe e mandaton një kandidat për kryeministër, atëherë ajo “bën shkelje të Kushtetutës, aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe cenon paanësinë politike”.
Osmani u takua me përfaqësuesit e partive politike më 31 tetor për të diskutuar për çështjen e mandatarit dhe të zgjedhjeve.
Pas mbledhjes, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës argumentuan se nuk ka shumicë dhe se zgjedhjet duket të jenë opsion. Ndërkaq, Kurti nuk u prononcua për media.
Pas takimit, Osmani tha se Kurti i kishte kërkuar një takim para 5 nëntorit – kur përfundon periudha 10-ditore – për të parë nëse mund të formohet shumica.
Osmani tha se Kushtetuta e obligon që ajo të bëjë çmos që të shmangen zgjedhjet.
Kurti ishte mandatuar më 11 tetor nga Osmani për të formuar ekzekutivin e ri.
Mandatari i parë për kryeministër, sipas Kushtetutës i takon partisë së parë, por për mandatarin e dytë është në diskrecionin e presidentes se kë ta mandatojë.
Partia e tij i ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ka siguruar ulëse të mjaftueshme në Kuvend që do t'i mundësonin që të formonte Qeverinë pa bashkëpunim me partitë e tjera.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, PDK-ja ka fituar 24 ulëse, LDK-ja 20, AAK-ja pesë dhe tre deputetë ka Nisma Socialdemokrate, që në zgjedhje garoi në listë të përbashkët me AAK-në.
Lista Serbe ka nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për minoritetin serb, një e ka partia e Nenad Rashiqit dhe dhjetë ulëse të tjera i kanë fituar përfaqësuesit e minoriteteve të tjera.