Bajrami: LVV-ja e ka ditur që as Gërvalla nuk i merr votat e nevojshme
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk është fare e interesuar që të zgjidhet situata në Kuvendin e Kosovës.
Ajo theksoi se edhe propozimi i Donika Gërvallës ishte vetëm një veprim për të prolonguar konstituimin e Kuvendit.
“LVV-ja sot propozoi dy kandidate për të cilat dihej paraprakisht se nuk i kanë votat”, tha Bajrami.
Krasniqi: Ne votojmë vetëm një kandidat të LVV-së që s’ka qenë pjesë e Qeverisë
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se partia e tij vazhdon me qëndrimin se voton një kandidat nga LVV-ja për kryeparlamentar që nuk ka qenë pjesë e Qeverisë së Albin Kurtit.
Pas seancës, ai tha se sot Kuvendi u rikthye në pikën “që u largua në mënyrë arbitrate” nga LVV-ja, duke iu referuar ndryshimit të mënyrës së votimit nga kryesuesi i seancës.
“Nëse duan zgjidhje, sot mund ta përfundonin këtë punë”, tha ai, duke shtuar se nuk ka votë për Albulena Haxhiun dhe për dikë që ka qenë ministër.
Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla - që sot nuk morën vota për kryeparlamentare - janë ministre në Qeverinë në detyrë të Kosovës.
Gërvalla dështon të zgjidhet kryeparlamentare
Donika Gërvalla nuk arriti të zgjidhej kryeparlamentare, pasi nuk i mori 61 votat e nevojshme. Ajo mori 57 vota për, 56 kundër dhe 3 abstenuan.
Pas kësaj, Dehari ndërpreu seancën, e cila do të vazhdojë më 22 gusht.
LVV propozon Donika Gërvallën për kryeparlamentare
Glauk Konjufca e propozoi Donika Gërvallën për kryeparlamentare, pasi Haxhiu dështoi të zgjidhej.