Ndërlidhjet

Nenad Rashiq nga pakica serbe shihet duke biseduar me deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvend.
Nenad Rashiq nga pakica serbe shihet duke biseduar me deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvend.

Votimi për nënkryetarin serb mban peng konstituimin e Kuvendit të Kosovës

• Deputetët dështuan edhe të enjten ta zgjedhin nënkryetarin serb për ta përmbyllur konstituimin e Kuvendit.

• Kryetari i Kuvendit i hodhi në votim përmes shortit pesë prej nëntë deputetëve të Listës Serbe. Secili prej tyre mori zero vota.

• Më pas, shorti i ra Nenad Rashiqit nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili mori vetëm 56 vota për, para se seanca të ndërpritej.

• Konstituimi i Kuvendit do t'i hapte rrugë formimit të Qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

13:11 28.8.2025

Hekuran Murati: Nëse jo Rashiq, kush duhet të zgjidhet nënkryetar nga pakica serbe

Hekuran Murati
Hekuran Murati

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, i ka kritikuar partitë politike që kanë qenë në opozitë në legjislaturën e kaluar, PDK, LDK dhe AAK e Nisma, për mosvotimin e Nenad Rashiqit nënkryetar të Kuvendit të Kosovës.

“Nuk e kuptojmë cili është qëllimi i deputetëve të opozitës, ku një pjesë abstenon, siç janë deputetët e PDK-së dhe AAK dhe NISMA, ndërsa ata të LDK nuk merr pjesë në votim”, tha Murati për gazetarë.

Ai tha se dëshiron t’i pyesë ata se, “nëse jo Nenad Rashiq, kush nga pakica serbe duhet të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, sipas tyre”.

“Besoj këtë pyetje duhet t’ua bëjmë atyre vazhdimisht deri në seancën e ardhshme”, shtoi ai.

Sa për dijeni, një nga pesë nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës i takon pakicës serbe, sipas Kushtetues së Kosovës.

14:04 28.8.2025

Çfarë ndodhi sot në Kuvend?

Të nderuar lexues të Radios Evropa e Lirë,

Këtu po e përmbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Më poshtë ju sjellim një përmbledhje të krejt asaj çfarë ndodhi më 28 gusht në Kuvend:

Deputetët u mblodhën të enjten për ta përmbyllur konstituimin e Kuvendit me zgjedhjen e nënkryetarit të pestë dhe të fundit të tij.

Megjithatë, ata dështuan sërish ta votonin nënkryetarin nga pakica serbe, duke e nxitur kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, ta ndërpriste seancën.

Pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që e gëzon edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar – nuk hoqi dorë nga kandidimi i Sllavko Simiqit për nënkryetar, kryetari Basha i hodhi në votim përmes shortit pesë prej nëntë deputetëve të saj. Secili prej tyre mori zero vota.

Më pas, shorti i ra Nenad Rashiqit, deputetit tjetër serb në Kuvendin e Kosovës, i cili nuk përkrahet nga Lista Serbe.

Rashiq është kryetar i partisë serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, dhe njëri i afërt me kreun e Lëvizjes Vetëvendosjes dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Rashiq – i cili nuk ishte votuar as në seancën e kaluar – i mori 56 vota për, 1 kundër, ndërsa 20 deputetë abstenuan.

Kjo nënkupton se Rashiq ka të drejtë të nxirret në votim vetëm edhe një herë.

Kuvendi i Kosovës, më 28 gusht 2025.
Kuvendi i Kosovës, më 28 gusht 2025.

Kjo bëri që kryetari Basha ta ndërpriste seancën. Më vonë, Kuvendi njoftoi se seanca konstituive do të vazhdojë më 30 gusht në orën 11:00.

Basha tha se e ndërpreu seancën për t’i thirrur në diskutime partitë e tjera parlamentare për ta votuar Rashiqin.

“Sa për njohurinë tuaj, jeni edhe dëshmitarë, [Rashiqi] është i vetmi deputet që po merr më së shumti vota për. Pra, teoria e gjasave që të zgjidhet nga komuniteti serb, gjasat më të mëdha i ka Nenad Rashiq, prandaj unë e mbylli këtë seancë këtu dhe i vazhdojmë diskutimet mes grupeve parlamentare që ta votojnë deputetin Nenad Rashiq”, tha ai.

Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, deklaroi pas seancës së Kuvendit të Kosovës se po shkelen të drejtat themelore të njeriut të komunitetit serb, rendi kushtetues dhe Rregullorja e punës së Kuvendit.

Për këto shkelje të pretenduara, Lista Serbe njoftoi se do të parashtrojë ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Faleminderit që ishit me ne!

XS
SM
MD
LG