Dështon edhe Zllatan Ellek
As kryetari dhe deputet i Listës Serbe, Zllatan Ellek, nuk ka marrë ndonjë votë për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës.
Në dy tentime radhazi, kundër Ellekut votuan 54 deputetë, ndërsa 19 të tjerë abstenuan.
Sa për dijeni, Kuvendi është duke i hedhur në votim përmes shortit deputetët e Listës Serbe.
Në seancën e kaluar, Lista Serbe nuk pranoi të propozonte ndonjë kandidat pos Sllavko Simiqit.
Simiq nuk i mori votat e nevojshme kur u hodh në votim.
Lista Serbe: Po shkelen të drejtat e serbëve në Kuvend
Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, publikoi në profilin e tij në Instagram një video nga seanca e Kuvendit dhe tha se “po vazhdon votimi në kundërshtim me rregullat, për ta futur (Nenad) Rashiqin si nënkryetar të Kuvendit”.
"Po shkelen të gjitha rregullat, po shkelen të drejtat e popullit serb, dhe Rashiq në këtë po merr pjesë drejtpërdrejt bashkë me Vetëvendosjen në pushtet. Kurti po e shtyn të preferuarin e tij në postin e nënkryetarit”, tha Simiq.
Lista Serbe, përndryshe, nuk merr pjesë në votim.
Sipas Rregullores së Kuvendit, kandidati për nënkryetar nga radhët e komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të këtij komuniteti. Rashiq nuk e ka mbështetjen e Listës Serbe.
S’ka votë as për Stefan Kovaçeviqin
Deputeti i tretë i hedhur në votim me short është Stefan Kovaçeviq, i cili sikurse bashkpartiakët e tij, nuk e mori asnjë votë për nënkryetar të Kuvendit.
Kovaçeviq u hodh në votim tri herë dhe në asnjërin rast nuk e mori asnjë votë. Ai nuk ka të drejtë të hidhet në votim më.
Lista Serbe i ka 9 deputetë dhe as ata vetë nuk po votojnë për, pasi duan që kandidat i tyre të jetë Sllavko Simiq, i cili dështoi në tri tentime në seancën e kaluar.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka thënë se po ndjek aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilës, një kandidat nuk mund të hidhet në votim më shumë se tri herë.
Edhe Sergjan Popoviq e Igor Simiq dështojnë të zgjidhen
As dy deputetët e radhës të Listës Serbe, Sergjan Popoviq e Igor Simiq, nuk kanë marrë ndonjë votë në votimin për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës.
Ata u hodhën në votim me short dhe pritet të voton edhe nga një herë secili.
Popoviq u nxor në votim tri herë dhe me kaq humbë mundësinë për t'u votuar.