Të nderuar lexues të Radios Evropa e Lirë,
Këtu po e përmbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të zhvillimeve në Kuvendin e Kosovës gjatë të mërkurës së 7 majit.
Faleminderit që na ndoqët!
Murati: Propozimi i LDK-së nuk është serioz, s’kemi nevojë për qeveri tranzitore
Hekuran Murati, nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), tha se propozimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për qeveri tranzitore gjithëpërfshirëse “nuk është serioz” dhe se nuk është opsion për Kosovën tani.
“Në rastet kur ka luftë civile dhe vendi del nga lufta dhe nuk ka institucione, pra në raste të tilla kur ka kriza të papara, vendi mbetet mbetet pa qeveri dhe bëhet qeveri tranzitore. Kjo do të na kthente në vitin 2000”, tha Murati.
Ai tha se kjo do të ishte një mesazh i keq për gjendjen në Kosovë te bashkësia ndërkombëtare.
“Rezultati zgjedhor tashmë e ka përcaktuar se kush është fituesi dhe kush duhet të udhëheqë qeverinë. Nëse nuk arrihet kjo në Kuvend, ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje”, shtoi ai.
Por, Murati tha se LVV-ja nuk dëshiron që zgjedhjet e jashtëzakonshme të jenë opsion i parë, por opsion i fundit.
“Vendi ka qeveri dhe po pret për një qeveri të re, për t’ia dorëzuar mandatit”, tha Murati, duke shtuar se opsioni më i mirë, sipas tij, për zgjidhjen e situatës do të ishte konstituimi i Kuvendit të Kosovës përmes votimit të fshehtë.
Haxhiu: Votimi i fshehtë është demokratik
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se nuk e kupton pse disa parti parlamentare nuk e pranojnë votimin e fshehtë për emërimin e saj.
“Për mua është i paqartë qëndrimi i tyre për të mos marrë pjesë në votim për komisionin për votimin e kryetarit në mënyrë të fshehtë. Votimi i fshehtë është shumë demokratik për shumë pozita në Kosovë”, tha Haxhiu.
Lidhja Demokratike, Partia Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Lista Serbe nuk morën pjesë fare në votim për një komision që do ta kishte mbikëqyrur votimin e fshehtë për kryeparlamentar.
Në lidhje me propozimin e liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për qeveri tranzitore me të gjitha partitë parlamentare, Haxhiu tha se është e “papranueshme të injorohet vullneti i qytetarëve”.
Bajrami: Nuk kemi marrë përgjigje nga liderët e partive për propozimin tonë
Hykmete Bajrami, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se LDK-ja ende nuk ka marrë përgjigje zyrtare nga liderët e partive politike, përveç Ramush Haradinajt të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, lidhur me propozimin që të formohet një qeveri tranzitore gjithëpërfshirësë.
Ajo tha se propozimi i LDK-së është “e vetmja zgjidhje për të zhbllokuar procesin”.
“Nuk jemi të interesuar të kemi një qeveri me LVV-në. I kemi ftuar të gjithë, i mirëpresim të gjithë. Nuk kemi vendosur asnjë kusht sepse gjithçka do të jetë subjekt i diskutimit të përbashkët”, tha Bajrami.
Lidhur me deklaratën e Ganimete Musliut, nga Partia Demokratike e Kosovës, se LDK-ja po frikësohet të marrë vendime politike, Bajrami tha se propozimi i LDK-së nuk tregon frikë, por konsistencë në qëndrime.
“Besoj e dini të gjithë që në një opsion të tillë nëse LDK-ja do të ishte e interesuar për pozita dhe pushtet, do të ishte në pozitë shumë më të mirë po të bënte koalicion me VV-në”, tha Bajrami.