Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
09:57 4.3.2022

Ushtria ukrainase: Trupat ruse po “rrethojnë” Kievin

Ushtria ukrainase ka thënë se trupat ruse po vazhdojnë të avancojnë drejt kryeqytetit, Kievit.

“Përpjekjet kyçe të pushtuesve janë të koncentruara në rrethim të Kievit”, ka thënë ushtria ukrainase në raportin e mëngjesit.

Në të nuk janë dhënë hollësi për luftimet brenda qytetit.

Autoritetet e Kievit kanë lëshuar sirenat disa herë gjatë mesnatës dhe banorëve u është thënë që të strehohen në vende të sigurta.

Sipas autoriteteve ukrainase, trupat ruse janë larguar nga baza strategjike ajrore, Hostomel, në perëndim të Kievit.

Qyteti jugor Mariupol është plotësisht i rrethuar, kanë thënë ata, duke shtuar se trupat ruse “kanë shënuar avancim të rëndësishëm teknik".

10:23 4.3.2022

Mariupoli i bën thirrje NATO-s për dërgim të trupave

Qyteti në jug të Ukrainës, Mariupol, është zgjuar të premten nën sulme të mëdha.

Nënkryetari i qytetit, Sergei Orlov u ka bërë thirrje liderëve të NATO-s që të dërgojnë trupa në Ukrainë, duke thënë se Rusia nuk do të ndalet derisa të bëjë shtetin shkretëtirë.

Orlov ka thënë për BBC-në se “nuk ka mundësi për të ndalur Putinin nga vrasja e civilëve nëse NATO-ja nuk zgjohet dhe kupton se ky nuk është konflikt rajonal – është luftë kundër demokracisë, kundër lirisë, kundër njërit prej vendeve më të mëdha në Evropë”.

“Duket se liderët e NATO-s nuk e kuptojnë se Putin nuk do të ndalet, ata janë të frikësuar dhe kjo është fatkeqësi. Ne presim që një ditë, liderët e NATO-s do ta kuptojnë që është e nevojshme të ofrohet mbështetje ushtarake për Ukrainën për ta ndalur Putinin apo për të mbyllur qiejt, për të na mbrojtur nga kërcënimet ajrore”.

10:30 4.3.2022

Rritet numri i viktimave nga sulmet ajrore ne Çerniv

Autoritetet rajonale në Ukrainë kanë thënë se 47 persona kanë vdekur nga sulmet ajrore të enjten në qytetin Çerniv.

Ekipet e shpëtimit është dashur të ndalin punën për shkak të sulmeve të mëdha, kanë thënë shërbimet e emergjencës.

Një total prej 148 personave, kryesisht civilë kanë vdekur prej nisjes së sulmeve në këtë rajon, ka thënë autoritetet lokale.

Ky qytet me 300,000 banorë është në veri të shtetit, afër kufijve me Rusinë dhe Bjellorusinë.

10:54 4.3.2022

Blinken: NATO nuk synon konflikt, por është e gatshme për të

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka paralajmëruar të premten në Bruksel – para takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s – se ndonëse aleanca nuk “synon konflikt” është “e gatshme” për të dhe do të mbrojë territoret e vendeve anëtare, teksa Rusia vazhdon të sulmojë Ukrainën.

Deklaratat e tij kanë ardhur pasi aleatët e NATO-s kanë thënë se janë të bashkuar kundër agresionit rus, mirëpo nuk kanë gatishmëri për të mbyllur hapësirën ajrore mbi Ukrainë.

Zyrtarët ukrainas kanë kërkuar këtë mbyllje, në mënyrë që të shmangin sulmet ajrore të Rusisë.

Gjuha diplomatike dhe sanksionet financiare të Perëndimit janë ashpërsuar teksa rritet numri i viktimave civile dhe refugjatëve nga pushtimi që ka mbushur një javë.

“Aleanca jonë është mbrojtëse. Ne nuk duam konflikt”, ka thënë Blinken.

“Mirëpo nëse konflikti vjen te ne, ne jemi të gatshëm për të dhe do të mbrojmë secilin inç të territorit të NATO-s”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG