Agjencia atomike e OKB-së: Nuk ka rrjedhje radioaktive nga centrali në Ukrainë
Kreu i agjencisë mbikëqyrëse atomike të Kombeve të Bashkuara thotë se nuk ka pasur rrezatim radioaktiv nga centrali bërthamor i Ukrainës që ishte në shënjestër të sulmit nga Rusia në orët e hershme të 4 marsit.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike tha se agjencia ka qenë në kontakt me rregullatorin bërthamor të Ukrainës dhe centralin bërthamor të Zaporizhja pasi një ndërtesë në afërsi u godit.
Kjo shkaktoi një zjarr që u shua ndërsa Rafael Mariano Grossi tha se dy persona u lënduan nga zjarri.
Ai tha se operatori dhe rregullatori thonë se situata “vazhdon të jetë jashtëzakonisht e tensionuar dhe sfiduese”.
OKB: Sulmi te centrali bërthamor goditi një qendër trajnimi
Kreu i agjencisë atomike të Kombeve të Bashkuara thotë se ishte një qendër trajnimi në një central bërthamor ukrainas që u godit në një sulm nga ushtria ruse.
Në raportet e mëparshme pati diskutime lidhur me atë se cila pjesë e uzinës ishte prekur nga zjarri që shpërtheu pas granatimeve.
Zëdhënësi i centralit bërthamor, Andriy Tuz, i tha televizionit ukrainas gjatë natës se predhat ranë drejtpërdrejt në objektin e centralit bërthamor dhe i vunë zjarrin reaktorit që nuk funksiononte dhe një ndërtese trajnimi.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Mariano Grossi, tha të premten se godina ishte një qendër trajnimi dhe "jo pjesë e reaktorit".
Ai tha se ukrainasit janë ende në kontroll të reaktorit.
Uzina bërthamore në Ukrainë, në flakë pas sulmit rus
Një zjarr ka shpërthyer në zonën ku gjendet centrali bërthamor, Zaporizhja, në Ukrainë, pas sulmeve nga ushtria ruse.
Shërbimet ukrainase të emergjencës kanë thënë se kanë shuar zjarrin.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Çështje Bërthamore ka thënë më 4 mars se nuk ka pasur rrezatim radioaktiv pas sulmit në këtë central bërthamor.
Centrali bërthamor në Zaporizhja prodhon më shumë se një të pestën e energjisë brenda Ukrainës.
Këshilltari ukrainas: Qyteti Mikolaiv i reziston avancimit rus
Trupat ruse, që kanë avancuar në qytetin jugor ukrainas, Mikolaiv, janë ndaluar, ka thënë një këshilltar i Presidencës ukrainase.
Kjo deklaratë e tij vjen jo shumë gjatë pasi kryetari lokal ka thënë se trupat ruse janë duke hyrë në qytet, i cili njihet për portin e rëndësishëm në Detin e Zi.