Ukraina: Forcat ruse kanë marrë kontrollin e centralit bërthamor
Autoritetet ukrainase kanë thënë se trupat ruse kanë marrë kontrollin e centralit bërthamor, Zaporizhja.
“Personeli operacional është duke vëzhguar situatën e njësiteve të energjisë”, ka thënë një autoritet lokal për mediat, raporton agjencia e lajmeve, Reuters.
Personeli është duke vazhduar punën dhe duke vëzhguar situatën, ka thënë autoriteti.
Një zjarr ka shpërthyer disa orë më parë në këtë central – më i madhi në Evropë – pas sulmeve ruse.
Liderët botërorë dënojnë sulmin rus në centralin bërthamor
Liderët botërorë kanë akuzuar Rusinë për rrezikim të gjithë kontinentit, pas forcat e saj kanë sulmuar një central bërthamor, i cili është përfshirë nga flakët.
Zjarri ka shpërthyer në centralin bërthamor Zaporizhja - më i madhi në Evropë - pas sulmeve ruse.
Autoritetet ukrainase kanë thënë se kanë arritur të shuajnë zjarrin, por që trupat ruse tani kanë marrë kontrollin e tij.
Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se sulmi i pamatur i Rusisë mund të rrezikojë drejtpërdrejt sigurinë e gjithë Evropës.
Presidenti amerikan, Joe Biden i ka bërë thirrje Moskës që të ndalë aktivitetet në këtë zonë, derisa kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka thënë se “sulmet e tmerrshme” nga Rusia, duhet të ndalen menjëherë.
Rusia do të dënojë me burgim ata që përhapin informacione “të rreme” për ushtrinë
Dhoma e Ulët e Parlamentit rus ka miratuar të premten një ligj që dënon me burgim ata që përhapin informacion “të rremë” për forcat e armatosura.
Ligji, i miratuar nga Duma Ruse, në leximin e tretë dhe të fundit, ka prezantuar dënime me burg për ata që me qëllim përhapin informacione të rreme për forcat e armatosura, të cilat kanë ndikim serioz, është thënë në dokumentin rus, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.
Britania: Sulm serioz dhe i pamatur në zonën bërthamore
Sulmet ruse në centralin bërthamor të Ukrainës, Zaporizhja janë “serioze dhe të pamatura”, të cilat duhet t’i marrë me seriozitet gjithë komuniteti ndërkombëtar”, ka thënë zëvendëskryeministri britanik, Dominic Raab.
Ai ka thënë për transmetuesin britanik, BBC se “është shumë e vështirë të besohet se sulmi nuk është bërë me dashje”.
Ai ka thënë se e kupton që nuk ka rrezik të menjëhershëm në këtë zonë.
Kryeministri britanik, Boris Johnson ka kërkuar takim urgjent në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të “rritur presionin ndaj makinës së luftës së presidentit rus, Vladmir Putinit”.