Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
07:18 4.3.2022

Republika Çeke u mundëson qytetarëve të luftojnë për Ukrainën

Liderët çekë janë pajtuar për t’iu lejuar qytetarëve të shtetit të luftojnë në anën e Ukrainës kundër pushtimit rus, pa u përballur me pasoja.

Kryeministri çek, Petr Fiala ka thënë se ka biseduar me presidentin e shtetit, Millosh Zeman, i cili është pajtuar për të falur individët në raste të tilla.

Shtetasit e Republikës Çeke zakonisht e kanë të ndaluar që të shërbejnë për një ushtri të huaj.

Fiala ka thënë se ligji për këtë çështje nuk do të rishikohet.

Presidenti ukrainas, Volodymr Zelensky, u ka bërë thirrje evropianëve me përvojë ushtarake që të mbështesin Kievin kundër pushtimit rus.

Rreth 400 vullnetarë kanë kontaktuar autoritetet çeke, duke kërkuar përjashtim nga rregulli.

Republika Çeke është anëtare e NATO-s prej vitit 1999 dhe është më pak se 400 kilometra larg Ukrainës.

07:26 4.3.2022

Airbnb pezullon operacionet në Rusi dhe Bjellorusi

Kompania amerikane, Airbnb është ndër të fundit që ka pezulluar operacionet në këto shtete.

Shefi i saj ekzekutiv e ka bërë të ditur vendimin përmes një postimi në Twitter.

Ky vendim është në linjë me sanksionet amerikane dhe ato të vendeve tjera të Perëndimit, duke goditur sektorë të ndryshëm të ekonomisë ruse – sikurse bankat – dhe duke e bërë gati të pamundshme që bizneset globale të operojnë në Rusi.

07:47 4.3.2022

Kanali rus transmeton Liqenin e Mjellmave para mbylljes

Një prej televizioneve të fundit të pavarura në Rusi, Dozhd, ka njoftuar se do të ndalë punën pa afat të caktuar, pasi është vënë nën presion për mbulim të luftës në Ukrainë.

Rregullatori i telekomunikimeve në Rusi, tashmë ka bllokuar këtë televizion, duke e akuzuar për “nxitje të ekstremizmit, abuzim me shtetasit rusë, shkaktim të përçarjeve dhe inkurajim të protestave”, sipas raportimeve.

Të enjten, ky medium ka bërë transmetimin e fundit.

“Jo luftës”, ka thënë Natalia Sindeyeva, një prej themelueseve të mediumit, teksa punëtorët janë larguar nga studioja.

Kanali ka nisur më pas të transmetojë pamje të performancës së Çajkovskit, Liqeni i Mjellmave.

Kjo pikë baleti është transmetuar në radio dhe televizione në periudhën sovjetike gjatë viteve 1980 për të shënuar vdekjet e liderëve dhe më pas në puçin e vitit 1991 që ka kontribuuar në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.

08:08 4.3.2022

Rusia bllokon faqet e disa mediave të huaja

Disa faqe të Radios Evropa e Lirë (REL) dhe faqet ruse të mediave, BBC dhe Deutsche Welle, janë bllokuar në Rusi, sipas grupit vëzhgues, GlobalCheck.

Është raportuar edhe për bllokim të platformave, Facebook, Twitter, dhe dyqaneve online të Apple dhe Google.

Ky hap është marrë në orët e para të 4 marsit dhe vjen pas disa kërcënimeve ndaj Radios Evropa e Lirë dhe mediave tjera për mbulimin e luftës në Ukrainë.

Kjo bllokadë ua pamundëson rusëve qasjen në Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë.

Shërbimet rajonale të REL-it, Sever.realii, Sibir.realii dhe Kavkaz.realii, janë bllokuar po ashtu në Rusi.

Faqja e Current Time, televizionit në gjuhën ruse – projekt i Radios Evropa e Lirë dhe Zërit të Amerikës – është bllokuar nga autoritetet ruse nga 28 shkurti, ndonëse shërbimi ka gjetur mundësi për të shmangur bllokadën.

Gazetarët e mediumit Meduza, me bazë në Letoni, që transmeton në gjuhën angleze dhe ruse, kanë thënë se “gjithçka tregon se faqja jonë është bllokuar në Rusi”.

“Këto kohëra do të kalojnë. Ne do të vazhdojmë punën”, kanë thënë ata.

Zyrat e Shërbimit rus të REL-it kanë pranuar gjashtë njoftime nga rregullatori i mediave në Rusi, Roskomnadzor më 2 mars, duke kërcënuar me bllokim të faqeve.

Rregullatori ka thënë se materialet e publikuara “kanë qenë qëllimshëm të rreme për sulmet e supozuara ruse në territorin e Ukrainës” në mënyrë që të “krijojnë panik mes njerëzve”.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG