Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
05:08 4.3.2022

SHBA aktivizon ekipin e reagimit bërthamor

Sekretarja amerikane e Energjisë, Jennifer Granholm, ka shkruar në Twitter se ka folur me ministrin e energjisë të Ukrainës pas raportimit për shpërthim zjarri në termocentralin Zaporizhzhia. Granholm ka njoftuar se ka vendosur të aktivizojë Ekipin Amerikan të Reagimit ndaj Incidenteve Bërthamore.

"Operacionet ushtarake ruse pranë uzinës janë të pamatura dhe duhet të pushojnë," tha Granholm, e cili mbikëqyr arsenalin bërthamor të SHBA-së.

06:11 4.3.2022

Trudeau: Sulmet të ndalen menjëherë

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau sapo ka folur me liderin e Ukrainës Volodymyr Zelensky pas sulmit të Rusisë në centralin bërthamor të Zaporizhzhia.

Ai dënoi sulmet, duke u bërë thirrje që ato "të pushojnë menjëherë".

06:44 4.3.2022

Një përmbledhje e lajmeve të orëve të fundit nga Ukraina​

Në Ukrainë ishte një natë e gjatë dhe shpeshherë e frikshme, jo vetëm për njerëzit atje por edhe për qytetarët e tjerë të Evropës. Centrali më i madh bërthamor në Ukrainë, Zaporizhja, u raportua se u sulmua nga rusët në orët e para të së premtes së 4 marsit. Ukraina paralajmëroi rrezik të madh për tërë Evropën në rast se sulmohet ky central bërthamor. Liderë të ndryshëm si Joe Biden, Justin Trudeau dhe Boris Johnson, biseduan gjatë natës me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

  • Centrali bërthamor Zaporizhzhia në Ukrainë u sulmua nga forcat ruse. Sulmi ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të së premtes sipas orës lokale në Ukrainë.
  • Përreth zonës së centralit kanë qenë duke u zhvilluar luftime prej disa ditësh. Autoritetet ukrainase njoftuan se sulmi nuk shkaktoi pasoja të mëdha sa të rrezikonte shkaktimin e një fatkeqësie bërthamore. Ekspertët raportuan se nuk ka rritje të nivelit të radioaktivitetit.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kërkoi ndihmë nga Bashkimi Evropian pas sulmit duke thënë se rrezikohet e gjithë Evropa.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se bombardimi i këtij centrali bërthamor mund të shkaktojë fatkeqësi më të madhe se ajo e Çernobilit që ndodhi në vitin 1986 pasi ky central është më i madhi në Evropë.
  • Kryeministri britanik Boris Johnson tha se do të kërkojë një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në kompleksin bërthamor të Zaporizhzhia në Ukrainë.
  • Sekretarja amerikane e Energjisë, Jennifer Granholm, ka njoftuar se ka vendosur të aktivizojë Ekipin Amerikan të Reagimit ndaj Incidenteve Bërthamore.
  • Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau foli me liderin e Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe dënoi sulmet, duke u bërë thirrje që ato "të pushojnë menjëherë".
  • Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden ka prezantuar të enjten sanksione të reja kundër oligarkëve rusë dhe personave tjerë të rrethit të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin.
  • Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë të enjten se “operacioni special ushtarak” në Ukrainë është duke shkuar sipas planit dhe i ka konsideruar ushtarët rusë si heronj.
  • Negociatorët rusë dhe ukrainas të enjten thanë se kanë rënë dakord të organizojnë korridore humanitare për evakuimin e civilëve.
  • SHBA dhe Britania e Madhe kanë miratuar sanksione shtesë që synojnë oligarkët rusë
  • SHBA-ja dhe BE-ja kanë rënë dakord të ofrojnë qëndrim të përkohshëm për refugjatët që ikin nga Ukraina.
07:03 4.3.2022

Një anije mallrash fundoset në brigjet ukrainase pas shpërthimit

Pronarët estonezë të një anijeje mallrash kanë thënë se ajo është fundosur në brigjet e Ukrainës, pas një shpërthimi.

Ata kanë thënë se dy pjesëtarë të ekipit kanë përfunduar në një gomone shpëtimi në det dhe katër tjerë janë të zhdukur.

Megjithatë të gjashtit më vonë janë shpëtuar nga ekipet ukrainase.

Anija është në pronësi të kompanisë me bazë në Estoni, Vista Shipping Agency.

Shteti baltik, Estonia është vend anëtar i NATO-s dhe ndan kufirin me Rusinë.

Anija është ankoruar në brigjet ukrainase pasi është larguar nga një port afër Odesas disa ditë më parë.

Ende nuk është bërë e qartë çfarë e ka shkaktuar shpërthimin.

Ushtria ukrainase ka thënë se Rusia është duke dërguar anije zbarkuese amfibe për të pushtuar Odesan, një qytet me një milion banorë dhe port të madh detar, teksa vazhdon të avancojë në jug të Ukrainës.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG