Poroshenko: Putin nuk mund të vrasë shpirtin tonë
Ish-presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, ka thënë për transmetuesin britanik, BBC se i gjithë kombi është duke luftuar presidentin rus, Vladimir Putin.
Ai u ka bërë thirrje banorëve të Ukrainës që të mos dorëzohen kurrë.
“Ai mund të ndalë dritat, ai mund të ndalë furnizimet e ngrohjes, mirëpo ai nuk mund të vrasë shpirtin ukrainas”, ka thënë Poroshenko.
Ai ka qenë president i Ukrainës për pesë vjet, deri kur Volodymyr Zelensky ka fituar shumicën në zgjedhjet e vitit 2019.
Ukraina dhe Rusia: Çfarë duhet të dini?
- Më shumë se një milion refugjatë kanë ikur nga Ukraina në vetëm shtatë ditë, kanë thënë Kombet e Bashkuara
- Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se “operacioni i tij ushtarak” në Ukrainë është duke shkuar sipas planit
- Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka thënë Putinit “jeni duke gënjyer vetveten”. Lideri francez, ka deklaruar se në bisedë telefonike me Putinin, lideri rus e ka siguruar se është duke kërkuar “denazifikimin e Ukrainës”
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se Rusia dhe Ukraina duhet të bëjnë kompromise për t’i dhënë fund luftës
- Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë vendosur sanksione të reja ndaj oligarkëve rusë dhe aleatëve të Putinit
- Pentagoni ka krijuar një linjë të re komunikimi me Ministrinë ruse të Mbrojtjes për të parandaluar “llogaritjet e gabuara, incidentet ushtarake dhe përshkallëzimin e situatës”, ka thënë një zyrtar amerikan për agjencinë e lajmeve, Reuters.
- Çmimet e naftës janë rritur përsëri prej shpërthimit të luftës derisa vlera e aksioneve ka rënë në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë
Ukraina thotë se shkatërroi 20 automjete ushtarake ruse
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha të enjten se shkatërroi gjithsej 20 automjete ushtarake ruse pranë bazës ajrore Hostomel.
Videot e postuara në mediat sociale tregojnë ushtarë ukrainas duke ecur me automjete të dëmtuara dhe të djegura të shënuara me shenjën V që sugjeron se ato ishin në mesin e forcave ruse që erdhën nga Bjellorusia.
Në llogarinë në Twitter të Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës thuhet: “Gjithsej, gjatë ditës, forcat speciale shkatërruan 20 automjete luftarake të armikut në Hostomel”.
Pamjet nga lart shfaqin shkatërrimin masiv të një qyteti në Ukrainë
Në këto pamje mund të shiheshin ende duke u djegur ato që dikur ishin një varg ndërtesash shumëkatëshe në rrugën kryesore të Borodianka të Ukrainës. Ky qytet i vogël, 50 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit ukrainas, Kiev, ishte cak i sulmeve ajrore ruse dhe granatimit të artilerisë së rëndë. Nuk dihet ende numri i saktë i viktimave. Shumë banorë vendas i thanë Radios Evropa e Lirë se ata planifikojnë të largohen.