Raportohet për linjë komunikimi SHBA-Rusi për të parandaluar “incidentet ushtarake”
Pentagoni ka krijuar një linjë të re komunikimi me Ministrinë ruse të Mbrojtjes për të parandaluar “llogaritjet e gabuara, incidentet ushtarake dhe përshkallëzimin e situatës”, ka thënë një zyrtar amerikan për agjencinë e lajmeve, Reuters.
Duke folur në kushte anonimiteti, ky burim ka thënë se linja është krijuar më 1 mars.
Shtetet e Bashkuara kanë krijuar linja të tilla edhe në të kaluarën me Rusinë, duke përfshirë luftën në Siri.
OKB pret që edhe 10 milionë refugjatë t’i ikin luftës në Ukrainë
Kombet e Bashkuara kanë thënë se presin që luftës në Ukrainë t’i ikin edhe 10 milionë refugjatë tjerë.
Prej tyre, rreth 4 milionë mund të largohen në shtetet fqinje, ka thënë OKB në Nju Jork, duke përsëritur se këto janë vetëm parashikime.
Rreth 1 milion banorë të Ukrainës tashmë janë larguar nga ky shtet, ka thënë Komisionari i Lartë i OKB-së për Refugjatë, Filippo Grandi.
Të dhënat tregojnë se 575,000 refugjatë ukrainas kanë hyrë në Poloni, derisa Gjermania ka regjistruar rreth 5,000 refugjatë deri më tani.
Edhe Britania e Madhe vendos sanksione të reja ndaj oligarkëve rusë
Miliarderi rus, Alisher Usmanov, i cili ka lidhje me ekipet angleze të futbollit, Arsenal dhe Everton, është sanksionuar të enjten nga Britania, në tentim e sipër për të rritur presionin ndaj presidentit rus, Vladimir Putin për pushtimin në Ukrainë.
Ndalesa në udhëtim dhe ngrirja e aseteve do të aplikohen edhe ndaj ish-zëvendëskryeministrit rus, Igor Shuvalov.
Numri i oligarkëve të sanksionuar nga Britania tani ka shkuar në 15.
Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se “për aq kohë sa Putin vazhdon sulmet barbare ndaj ukrainasve të pafajshëm, ne do të vazhdojmë të shfrytëzojmë çdo fuqi që kemi për të rritur dhimbjen ekonomike ndaj Putinit dhe makinës së tij të luftës”.
Nën presion për të vepruar më shpejt, Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss do të krijojë një Taskforcë për Oligarkët.
Aty do të përfshihen ministra dhe zyrtarë nga departamente të ndryshme për të koordinuar sanksionet dhe për të krijuar raste kundër shënjestrave.
Refugjatët e radhës, “më të cenueshëm ndaj sëmundjeve dhe problemeve ekonomike”
Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë thënë se vala e radhës së refugjatëve, që do të ikin nga lufta në Ukrainë, pritet të jetë me persona më të cenueshëm ndaj sëmundjeve dhe problemeve ekonomike, sesa 1 milion personat që tashmë kanë ikur nga pushtimi rus.
Duke folur nga Varshava, prej nga OBSH është duke koordinuar 36 tonë me ndihmë mjekësore në Ukrainë, drejtori i OBSH-së për Evropë, Hans Kluge, ka thënë se situata veçse është “katastrofë humanitare” që pritet të përkeqësohet teksa trupat ruse rrethojnë dhe bombardojnë qytetet ukrainase.
Komentet e tij kanë ardhur pasi zyrtarë nga Rusia dhe Ukraina kanë thënë se janë pajtuar për të krijuar korridore humanitare për dërgim të ndihmave dhe për të lehtësuar ikjet e civilëve.
“Nëse konflikti ushtarak përshkallëzohet, kjo nënkupton se ne do të shohim më shumë njerëz që do të vijnë vetëm me rrobat në trup”, ka thënë Kluge.
Shumë refugjatë në valën e parë kanë pasur kushte ekonomike dhe lidhje familjare për të ikur, ka thënë ai.
Mirëpo teksa luftimet shtohen, ukrainasit me më pak të hyra dhe shëndet të dobët, “të cilët do të kenë më shumë nevojë për ndihmë”, do të detyrohen të bëjnë rrugë të rrezikshme drejt kufijve”, ka thënë Kluge.