Zelensky i bën thirrje Putinit për bisedime direkte
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje për bisedime direkte me presidentin rus, Vladimir Putin duke thënë se kjo është “mënyra e vetme për t’i dhënë fund kësaj lufte”.
“Ne nuk jemi duke sulmuar Rusinë dhe nuk planifikojmë të bëjmë këtë gjë. Çfarë dëshironi nga ne? Largohuni nga toka jonë”, ka thënë ai.
“Ulu me mua. Vetëm jo 30 metra larg sikurse me presidentin francez, Emmanuel Macron”, ka thënë ai, duke iu referuar bisedimeve në një tavolinë të gjatë muajin e kaluar.
Zelensky i ka bërë thirrje Perëndimit që t’i dërgojë aeroplanë ushtarakë.
“Nëse nuk keni fuqi të mbyllni qiejt, atëherë më jepni aeroplanë”, ka thënë ai.
“Nëse ne nuk jemi, Letonia, Lituania dhe Estonia do të jenë në radhë”.
Këto shtete janë pjesë të NATO-s, që nënkupton se nëse Rusia i pushton, do të ketë luftë me të gjitha vendet anëtare të aleancës.
Putin: Ukrainasit dhe rusët janë një popull
Presidenti rus, Vladimir Putin ka akuzuar forcat ukrainase se po shfrytëzojnë civilët si “mburoja njerëzore”.
Lideri rus i ka përshkruar ushtarët rusë si “heronj të vërtetë” dhe ndonëse e ka pranuar se ka humbur “disa qyteza të vogla”, ai ka insistuar se operacioni special i Rusisë është duke shkuar “sipas planit”.
“Suksesi” i ushtrisë ruse në Ukrainë është shembull i atij “herozimi”, ka pretenduar Putin.
Në një adresim televiziv, ai ka thënë se ukrainasit dhe rusët janë “një popull”, mirëpo ukrainasit janë “të kërcënuar dhe me tru të shpëlarë”.
Putin është zotuar se do të shkatërrojë "anti-Rusinë e krijuar nga Perëndimi".
Presidenti rus ka pretenduar se trupat ruse po ofrojnë korridore humanitare që civilët të largohen, duke rënë në kundërshtim me atë që kanë thënë ukrainasit.
Prodhuesi i dytë më i madh rus i naftës bën thirrje për përfundim të luftës
Kompania e dytë më e madhe në Rusi për prodhim të naftës, Lukoil është duke bërë thirrje për dhënien fund të luftës në Ukrainë.
Në një deklaratë në faqen e saj në internet, kompania është shqetësuar nga “zhvillimet tragjike në Ukrainë” dhe ka thënë se mbështet negociatat për dhënie fund të konfliktit.
Bordi i saj ka bërë thirrje “për armëpushim të konfliktit të armatosur dhe mbështet plotësisht zgjidhjen e saj përmes negociatave dhe diplomacisë”.
Kjo besohet se është kompania e parë e madhe ruse që flet kundër pushtimit.
Arrihet pajtueshmëri për korridoret e largimit të civilëve
Këshilltari i Presidencës ukrainase, Mykhailo Podolyak, ka konfirmuar përfundimin e rundit të dytë të negociatave me palën ruse në Bjellorusi.
“Fatkeqësisht Ukraina nuk ka ende rezultatet që i duhen. Ka vetëm vendime për organizimin e korridoreve humanitare”.
Rusia është pajtuar për të mbështetur idenë e korridoreve humanitare për civilët dhe një armëpushim të mundshëm afër tyre, ka thënë shefi negociator i palës ruse, Vladimir Medinsky.