Pasojat e sulmit rus në afërsi të Kievit
Gazetari i Radios Evropa e Lirë, Maryan Kushnir, ka parë nga afër pasojat e menjëhershme të një sulmi në qytezën e Borodjankës, në veriperëndim të kryeqytetit, në rajonin e Kievit. Pamjet e xhiruara nga ai më 2 mars shfaqin dëme të mëdha në zonat e banimit – ndërtesa ende duke u djegur, dhe të tjera të shkatërruara.
Rusia paralajmëron se luftëtarët e huaj në Ukrainë do të përballen me pasoja
Rusia ka lëshuar një paralajmërim për të huajt që planifikojnë të luftojnë kundër forcave ruse në Ukrainë, duke thënë se ata do të përballen me procedura penale nëse kapen.
“Dua të theksoj zyrtarisht se të gjithë mercenarët e dërguar nga Perëndimi për t’i ndihmuar regjimit nacionalist të Kievit, nuk do të kenë të drejtë të statusit të të burgosurve të luftës”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov, sipas agjencisë së lajmeve, Interfax.
Konashenkov ka shtuar se secili që po shqyrton mundësinë e përfshirjes duhet të mendojë “shtatë herë para se të niset” pasi Rusia do t’i mbajë “përgjegjës penalisht” nëse kapen.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka lëshuar një thirrje për të huajt që t’i bashkohen luftës kundër Rusisë, duke iu garantuar hyrje të gjithë vullnetarëve nga jashtë.
Ai ka vlerësuar të enjten se legjioni me të huaj pritet të ketë rreth 16,000 luftëtarë.
Zelenseky ka thënë se vullnetarët e parë veçse kanë arritur.
“Ata po vijnë të mbrojnë lirinë, jetën. Për ne, për të gjithë ne”.
Cilat janë më të rejat?
Shtatë ditë pasi Rusia ka pushtuar Ukrainën, një milion njerëz kanë ikur dhe sulmet janë shtuar në qytetet kyçe – ndonëse vetëm një qytet i madh ka rënë.
- Forcat ruse kanë marrë kontrollin e qytetit Herson, në jug të Ukrainës. Ky është tani qyteti i parë i madh i Ukrainës në duart e rusëve.
- Kryetari i Mariupolit – qytet strategjik për shkak të portit – ka thënë se trupat ruse kanë ndalur rrymën, furnizimet me ushqim, ujë dhe ngrohje
- Presidenti rus, Vladimir Putin i ka thënë homologut të tij francez, Emmanuel Macron se Rusia do të çmilitarizojë me sukses Ukrainën – dhe ka paralajmëruar se çfarëdo përpjekje e Kievit për të shtyrë negociatat, do të rezultojë me një Moskë që zgjeron listën e kërkesave
- Rundi i dytë i negociatave ka nisur në Bjellorusi mes negociatorëve ukrainas dhe atyre rusë. Ukraina shpreson të sigurojë korridor të sigurt për civilët që ikin nga lufta
- Rusia përballet me hetime për krime lufte, pasi ushtria e saj është akuzuar për bombardim të civilëve
- Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë se një luftë e tretë botërore do të ishte bërthamore, mirëpo, sipas tij, kjo nuk është diçka për të cilën janë duke menduar rusët
- Kryeqyteti ukrainas, Kiev mbetet nën kontrollin qeveritar, ndonëse ka pasur disa shpërthime të mëdha. Një konvoj i gjatë rus vazhdon të jetë në një distancë të afërt
SHBA pritet të sanksionojë oligarkët rusë
Shtetet e Bashkuara planifikojnë të vendosin sanksione ekonomike ndaj më shumë oligarkëve dhe familjeve të tyre, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters, duke u bazuar në burime.
Sanksionet do të prekin edhe familjarët e oligarkëve, sipas Reuters.