Ambasada e Ukrainës në Britani goditet nga sulmet kibernetike
Ambasada ukrainase në Britani ka bërë të ditur se faqja e saj zyrtare është jofunksionale për shkak të sulmeve kibernetike.
Një televizion rus ndal përkohësisht punën
Kanali televiziv rus, Dozhd do të ndalë përkohësisht punën, ka thënë drejtorja e përgjithshme e televizionit, Natalya Sindeeva.
Ajo ka lëshuar një deklaratë pasi radio stacioni, Ekho Moskvy, një prej mediumeve të fundit liberale në Moskë, është mbyllur pas presionit për mbulimin e luftës në Ukrainë.
“Neve na duhet forcë për të kuptuar si mund të punojmë prej tani. Ne shpresojmë se do të rikthejmë transmetimin dhe do të vazhdojmë punën”, ka thënë Sindeeva përmes një deklarate të publikuar në faqen e kanalit.
Nis rundi i dytë i negociatave mes Ukrainës dhe Rusisë
Këshilltari i Presidencës ukrainase, Mykhailo Podolyak, ka konfirmuar nisjen e bisedimeve me palën ruse.
Agjencia e lajmeve TASS ka thënë më parë se bisedimet do të zhvillohen në Bjellorusi.
Në një postim në Twitter, Podolyak, ka thënë se në agjendë do të diskutohet për armëpushim dhe krijimin e korridoreve humanitare për largimin e civilëve nga fshatrat dhe qytetet e shkatërruara nga luftimet.
OKB: Rritet numri i viktimave civile në Ukrainë
Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, ka thënë të enjten se ka konfirmuar që 249 civilë janë vrarë dhe 553 të tjerë janë plagosur në Ukrainë, në javën e parë të luftës së nisur nga Rusia.
“Pjesa më e madhe e viktimave civile, të regjistruara nga ora 04:00 më 24 shkurt deri në orët e mesnatës së 2 marsit, janë shkaktuar nga armët shpërthyese, duke përfshirë artilerinë e rëndë, sistemet raketore dhe sulmet ajrore”, është thënë në deklaratë.