Delegacioni ukrainas niset për në bisedime me Rusinë
Këshilltari i presidentit të Ukrainës, Mykhailo Podoliyak ka thënë se delegacioni ukrainas është nisur për të zhvilluar bisedimet me Rusinë.
Ai ka publikuar një fotografi dhe ka bërë të ditur se bisedimet do të mbahen pas disa orësh.
“Rrugës për negociata me Federatën Ruse. Tashmë në helikopterë…”, thuhet në postimin në Twitter më 3 mars.
Kush po e kontrollon territorin e Ukrainës?
Në grafikën më poshtë mund të kuptoni se sa kanë avancuar forcat ruse në Ukrainë, deri më 2 mars.
Lufta në Ukrainë tashmë ka hyrë në ditën e tetë.
RT largohet nga transmetimi në Mbretërinë e Bashkuar
Kanali televiziv shtetëror rus, Rusia Sot (RT) është hequr nga transmetimi në Mbretërinë e Bashkuar tha ministrja e Kulturës, Nadine Dorries në parlament të enjten.
Putin "nuk duhet të lejohet të shfrytëzojë median tonë të hapur dhe të lirë për të përhapur propagandë helmuese në shtëpitë britanike," tha Dorries.
Ministrja tha se kishte kontaktuar rrjetet sociale Meta dhe TikTok "duke u kërkuar atyre të bëjnë gjithçka që mund të bëjnë për të parandaluar qasjen në RT në Britani, siç kanë bërë në Evropë".
Macron zhvillon biseda telefonike me Putinin dhe Zelenskyn
Presidenti francez, Emmanuel Macron foli në telefon me presidentin rus, Vladimir Putin të enjten, konfirmuan Moska dhe Parisi, pa dhënë detaje të diskutimit të tyre.
Sipas Pallatit Elyse, telefonata zgjati një orë e gjysmë dhe u mbajt në mëngjes.
Më pas, Macron telefonoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Një mbrëmje më parë, Macron kishte theksuar në një fjalim se donte të vazhdonte të bisedonte me Putinin.
"Ne nuk jemi në luftë me Rusinë," tha Macron.
“Kam zgjedhur të qëndroj në kontakt me presidentin Putin dhe do të vazhdoj pa u lodhur të bëj gjithçka që është e nevojshme për ta bindur atë të tërheqë forcat e armatosura”.